Kërkohet ndërprerja e dënimit për të burgosurit me sëmundje të rënda

Brenda një viti, 9 persona kanë vdekur nëpër burgjet e Kosovës, ndërsa po vuanin dënimin.
Sipas “Raportit vjetor të punës së Departamentit Shëndetësor të Burgjeve për vitin 2021” të siguruar nga portali rtv21.tv ka një rritje lineare të vdekjeve nëpër burgje e cila mund të karakterizohet “si pasojë edhe e mungesës juridike për ndërprerjen e dënimit për shkaqe shëndetësore.
Në këtë raport është theksuar nevoja për ndërprerje të dënimit për shkaqe shëndetësore, ndërsa pezullimi i dënimit po shihet si masë jo adekuate dhe në shumë raste në mungesë të bazës ligjore sipas raportit po refuzohet.
Sipas tyre mungojnë edhe dënimet alternative.
“Ekzistojnë edhe rreth 15 raste të cilët ndodhen në burgje, në këtë fillim viti, e të cilët kanë diagnozë terminale, shumica e tyre edhe të moshuar e të cilët në çdo çast pritët të ndërrojnë jetë. Këta pacient dërgohen vazhdimisht në Institucione Publike, trajtohen dhe prapë kthehen në burgje, të cilët që të gjithë mbahen në stacionare të burgjeve duke iu ofruar kujdes 24 orë në ditë por që gjendja e tyre nuk mund të përmirësohet. Këto raste e ngarkojnë punën e shërbimit shëndetësor në burgje dhe ndodhë që si pasojë e tyre shërbimet për të tjerët të jenë të limituara”, thuhet në raportin e vitit 2021.
Portali rtv21.tv ka kontaktuar me Ministrinë e Drejtësisë dhe e njëjta ka thënë se legjislacioni përkatës në fuqi për ekzekutimin e sanksioneve penale në Kosovë, rregullon çështjen e përkujdesjes shëndetësore për çdo person të dënuar si dhe përcakton qartë edhe pezullimin e përkohshëm të ekzekutimit të dënimit kur personi i dënuar vuan nga një sëmundje serioze që kërcënon jetën e tij.
“Megjithatë me qëllim të avancimit të të drejtave të të burgosurve në kontekst të pezullimit të përkohshëm të ekzekutimit të dënimit, Ministria e Drejtësisë në Projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale (i cili aktualisht gjendet në fazën e shqyrtimit në Kuvendin e Kosovës), ka paraparë edhe një dispozitë të re për pezullimin e përkohshëm të ekzekutimit të dënimit në raste të fatkeqësive elementare apo sëmundjeve pandemike të shpallura nga organi kompetent”, thuhet në përgjigjën e Ministrisë së Drejtësisë.
Tutje, Ministria e Drejtësisë ka thënë se Gjykatat e Kosovës kanë kompetencë të vendosin rreth shqiptimit të dënimeve alternative apo kryesore./21Media

Back to top button