Kërkohet pagesë shtesë për policët

Delegacioni i Sindikatës së Policisë së Kosovës do t’i drejtohet me një kërkesë të veçantë, ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla për një shtesë për punën e kryer gjatë vitit, e sidomos për angazhim të shtuar në lidhje me pandeminë ‘COVID- 19’ për të gjithë zyrtaret policor dhe atyre të stafit civil të PK-së.
Kjo u bë e ditur përmes një komunikate të dërguar për media, pas takimit të kryetarit të Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri dhe nënkryetarit Avdi Hoti me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Përfaqësuesit e Sindikatës, në këtë takim kanë shtruar shumë çështje me interes për Policinë e Kosovës, ku është diskutuar edhe për tri çështjet më kryesore si ‘Ligji për paga’, ‘Ligji për sigurimin shëndetësor’ dhe ‘Ligji për pensionim të parakohshëm’.
“Delegacioni i Sindikatës së PK-së është shprehur i gatshëm që të vazhdojë me angazhimet e përbashkëta në shërbim të ngritjes së cilësisë për Policinë e Kosovës, përmes Ministrisë se Punëve të Brendshme, konkretisht nga Svelça që këto ligje të proceduhen sa më parë në qeveri. Ministri Sveçla është pajtuar që bashkërisht me Sindikatën e PK-së të vazhdojnë përpjekjet për zgjidhjen e këtyre kërkesave sa më parë. Gjithashtu, në këtë takim u diskutua edhe për sfidat që ballafaqohen çdo ditë zyrtaret policorë dhe kushtet e tyre në punë”, thuhet në komunikatë./21Media

Back to top button