Kërkohet paraburgim për pronarin e laboratorit të drogës në Leposaviq

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit R.V., pasi ekziston dyshimi se ka kryer veprat penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike” dhe “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.

“I pandehuri, prej datës së pacaktuar e deri me datë 24 shkurt 2024, në shtëpinë e tij në fshatin Graniqane të Leposaviqit, pa autorizim ka prodhuar, kultivuar përpunuar dhe nxjerrë ose përgatitur substanca preparate që janë shpallur si narkotikë ose substanca psikotrope, në atë mënyrë që i pandehuri në shtëpinë e tij i ka përshtatur dy dhoma në laborator duke shfrytëzuar aparatura të llojeve të ndryshme ku ka arritur që të kultivojë dhe prodhojë bimë të ndryshme narkotike”, thuhet në komunikatën për media të Prokurorisë Themelore.

Tutje bëhet e ditur se gjatë kontrollit nga policia në shtëpinë e të pandehurit, në njërën dhomë janë gjetur 23 saksi të mbjella me bimë të dyshuara të kanabisit me gjatësi 80.185 cm, llamba elektrike me nxemje elektrike, nxehëse që mban temperaturë konstante, foli alumini me të cilin ishte mbuluar dhoma dhe preparate për kultivimin e bimëve narkotike.

“Dhoma tjetër ishte djegur dhe janë vërejtur pajisjet e djegura që janë shfrytëzuar për kultivimin e bimëve narkotike”, thuhet në njoftim.

I pandehuri me aktvendim të prokurorit të shtetit gjendet në ndalim nga data 24 janar 2024 dhe seanca dëgjimorepër caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit pritet të mbahet sot, pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Kujtojmë se Policia ka njoftuar dje se ka shkatërruar një laborator të drogës në fshatin Graniçan të Leposaviqit, dhe ka arrestuar një person. /21Media

Back to top button