Kërkohet pezullimi i grevës në Aeroport

MIT ka bërë të ditur se kjo grevë dëmton operimet në aeroport

Shoqata Sindikale e Kontrollerëve të Trafikut Ajror po mban grevë që nga ora 08:00, për shkak të pakënaqësive të përfshirjes së këtij institucioni në ligjin për pagat. Përmes një njoftimi, Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror ka bërë të ditur se për shkak të grevës së SINKON-it nuk mund të ofrojë shërbime të navigimit ajror për fluturimet që realizohen në këtë interval kohor.

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit përmes një reagimi ka bërë të ditur se e ka pranuar me shqetësim vazhdimin e grevës nga kontrollorët e trafikut ajror edhe përkundër propozimit të marrëveshjes me shkrim nga ana e Ministrit Pal Lekaj.

“Në këtë memorandum mirëkuptimi janë të përfshirë kërkesat që Shoqata Sindikale e Kontrollorëve të Trafikut Ajror ka paraqitur pas përfshirjes së tyre në ligjin për pagat”, theksohet në reagimin e MIT-it.

MIT thekson se e drejta e punëtorëve për grevë është e garantuar me ligjin në fuqi, por ajo duhet të zhvillohet brenda kornizave të ligjit për greva.

“Greva e cila po mbahet nga SINKON e ASHNA rrezikon të dëmtoj seriozisht operimet në ANP “Adem Jashari” gjë e cila mund të shkaktoj pasoja të mëdha për vendin tonë, në një fazë delikate për marrjen e përgjegjësive nga institucionet vendore të aviacionit civil.Prandaj, MIT edhe një herë ju bën thirrje SINKON të ASHNA që të rishqyrtojnë pozicionin e tyre dhe të pezullojnë grevën e nisur. MIT nën udhëheqjen e ministrit Lekaj është e gatshme që të ndërmarrë të gjitha masat brenda kompetencave të saj me qëllim të adresimit të të gjitha shqetësimeve të SINKON të ASHNA.”, bëhet e ditur në njoftim.

Më 2 shkurt, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Pagat. Teksti në përgjithësi më amendamentet e propozuara në Projektligji për pagat në sektorin publik u votua me 63 vota pro asnjë kundër dhe një abstenim./21Media

Back to top button