Kërkohet që buxheti të miratohet pa kushte nga partitë

Zeka ka thënë se të gjitha partitë politike duhet të arrijnë konsensusin e nevojshëm, që çështja e buxhetit të mos shndërrohet në mjet për realizimin e qëllimeve politike

Për miratimin e projektbuxhetit të këtij viti në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane kërkon konsensus politik dhe pa kushtëzime nga partitë parlamentare.

Më 21 dhjetor të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës kishte votuar në parim projektligjin për buxhetin.

Ndonëse,  koalicioni qeverisës nuk ka marrë mbështetjen e dy partive me të mëdha opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, një mbështetje të kushtëzuar ka marrë nga subjekti i tretë opozitar, Partia Socialdemokrate, çka ishte e mjaftueshme që të miratohej në leximin e parë.

Kjo e fundit ka paraqitur pesë kërkesa në mënyrë që deputetët e saj ta votojnë edhe në lexim të dytë këtë projektligj. Ndër pesë kërkesat janë: Ligji për paga të miratohet në lexim të dytë në të njëjtën seancë me projektbuxhetin 2019, ligji për dialogun të miratohet në Qeveri, ligji për Qeveri të sillet në Kuvend për miratim që mos të ketë më shumë se 2 zv. ministrat për ministri, shkarkimi i ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo, si dhe kërkesa e pestë themelimi i komisionit të veçantë për draftimin e kodit pensional dhe reformës së plotë që do të drejtohet nga PSD.

Drejtori Ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane, Arian Zeka ka thënë për kp se të gjitha partitë politike duhet të arrijnë konsensusin e nevojshëm, ashtu që së paku çështja e buxhetit të mos shndërrohet në një mjet për realizimin e qëllimeve politike, pavarësisht subjektit politik brenda Kuvendit të Kosovës.

Ai  ka thënë se projektligji i buxhetit për këtë vit duhet aprovuar ngaqë çdo vonesë ndalon shpenzimet ose investimet kapitale.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se projektbuxheti për këtë vit do të miratohet në lexim të dytë në fund të këtij muaji, pasi deputet e Kuvendit të Kosovës janë në pushim. Haradinaj ka thënë se do të përmbushen edhe kërkesat e PSD-së për buxhetin.

“Votimi i buxhetit ka mund të ndodhë tani në këtë kohë, por parlamenti është në pushim. Seanca do të thirret në fund të këtij muaji, sepse kemi bërë një konsultë, i kam takuar shefat e grupeve parlamentare. PSD i ka disa kërkesa që qëndrojnë realisht. Jemi ra dakord që të votojmë edhe projektligjin për pagat, projektligjin për Dialog. Janë edhe disa tema të tjera, që besoj se do t’i realizojmë”, ka thënë Haradinaj.

Këshilltari i ministrit të Financave, Bedri Hamza, Lulzim Rafuna ka thënë se mosvotimi i buxhetit për këtë vit në kohë reale nuk paraqet krizë buxhetore për arsye se kanë filluar këtë vit në përputhje me dispozitat ligjore të ligjit për menaxhimit të financave publike, ku autorizohet që Ministria e Financave të bëjë ndarjen e buxhetit 1/12 për muajin janar, ndarje kjo e cila është bërë nga kjo ministri qysh në ditët e para. Sipas tij, projektligji është i përgatitur dhe është një buxhet, i cili i ka dhënë një prioritet sundimit të ligjit, shëndetësisë dhe arsimit.

Ndërsa, Nora Jusufi nga Instituti GAP ka thënë për Kp se kanë bërë një analizë të projektbuxhetit për këtë vit dhe kategoria e luftës ka më shumë buxhet se kategoritë sociale dhe të tjera.

Jusufi ka thënë se zakonisht GAP ngrit çështje për diskutim për parlamentarët para se ta votojnë atë dhe të shohin realisht nëse buxheti është ndarë sipas objektivave dhe kujt t’i jepet prioritet më shumë.

Ndërsa, eksperti financiar, Hekuran Murati ka pasur disa kritika për projektbuxhetin, duke thënë se në të kaluarën, te pjesa e të hyrave zakonisht ka pasur nën-performim në kategorinë e të hyrave të njëhershme, si në rastin e të hyrave nga shitja e telekomit, licencave të ndryshme, apo edhe dividentave. Sipas tij, kësaj radhe, po ashtu është planifikuar një shumë e konsiderueshme e të hyrave të tilla kryesisht nga fondet e AKP-së, të cilat vështirë se do të realizohen sipas planit, meqë ajo varet më tepër edhe nga gjykata.

Për skemat sociale, Murati ka thënë se tashmë kanë arritur pothuajse nivelin e pagave dhe problemi është që pritet të rriten edhe më tutje. Kjo sipas tij, është barrë e papërballueshme për vendin.

Ndryshe, projektligji për buxhetin e këtij viti që parashihet të jetë 2.3 miliardë euro është votuar në lexim të parë nga deputet e Kuvendit në fund të vitit 2018.

Back to top button