Kërkohet që veteranët mos të trajtohen me ligj të veçantë, por njëjtë si kategoritë e tjera

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka organizuar tryezë diskutimi për problematikat e kategorive të lirisë, kërkesat, nevojat e tyre si dhe shoqatave që përfaqësojnë këto kategori.

Aty u theksuan problematikat me ligjin për pagën minimale, pritjet e gjata për pajisje me proteza për invalidët, anashkalimin e kërkesave të kategorive të luftës dhe mohimin e të drejtave të tyre.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj u zotua se do të bëhet një zgjidhje përfundimtare, serioze dhe më ndryshe sa i përket statutit dhe të drejtave të këtyre kategorive.

Haradinaj përmendi se falë angazhimit dhe luftës së dëshmorëve dhe të personave qe tashmë janë pjesë e këtyre kategorive, Kosova tashmë gëzon lirinë si shtet.

Ushtruesi i detyrës së OVL–UÇK-së, Faton Klinaku tha se janë ndërruar disa qeveri që nga pas lufta, por nuk është bërë sa duhet për kategoritë e luftës.

Ai potencoi se paga prej 170 eurove, me inflacionin në Kosovë vlen sikur të ishin 70 euro.

Klinaku tha se nuk kanë arritur të kenë asnjë bashkëpunim me qeverinë Kurti sa i përket kërkesave të kategorive të lirisë.

Ai theksoi se qeveria Kurti me këto veprime e bënë të qartë se është kundër luftës çlirimtare dhe vlerave të saj.

Kryetari i Shoqatës së familjeve të dëshmorëve të luftës së UÇK-së, Xhavit Jashari, tha se kërkesat e tyre nuk merren seriozisht as nga deputetët.

Ai përmendi faktin se u kanë bërë thirrje deputetëve që veteranët mos të trajtohen me ligj të veçantë por njëjtë si kategoritë e tjera.

Në këtë tryezë u diskutua se këto kategori nuk janë të privilegjuara ashtu siç e meritojnë, porse janë të sakatuara, duke u mohuar të drejtat e tyre.

Back to top button