Kërkohet zgjidhje për taksën ujore

Në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës sot me prodhuesit e sektorit të ujit është diskutuar për taksën ujore

Kryetari i OEK-ut Berat Rukiqi tha se së bashku me Klubin e Prodhuesve t’i japin një zgjidhje faturimit për taksën ujore.

Ai tha se ka pasur shumë keqkuptime të cilat pa drejtësisht janë adresuar, ku sipas Rukiqit po falen borxhet me shifta të caktuara , por në fakt nuk është falë asgjë.

“Kjo të merr një epilog, bizneset janë në paqartësi. Edhe qeveria ka një problem të caktuar që nuk i mbledh këto mjete ose taksa”, tha Rukiqi, duke shtuar se sot në mungesë të përfaqësuesve të MMPH mbeten të hendikepuar për të pasur një qëndrim më të qartë.

Sipas tij, ndër pesë çështjet prioritare të Odës mbetet edhe zgjidhja e problemit të taksës ujore.

Bashkim Osmani kryetar i Shoqatës së Prodhimit të Pijeve alkoolike dhe jo alkoolike ka thënë se këto probleme po vazhdojnë me vite.

“Problemi kryesor me institucionet është taksa e lartë e ujit. Problemi ka qenë me retroaktiven, shumë biznese sot përballen me gjykata. Është e vërtetë se nuk janë paguar taksat, por kjo ka qenë për arsye se ka qenë taksë e lartë, dhe as unë nuk e kam paguar. Janë falur borxhet kushtimisht, por jo ajo shumë prej mbi 50 milionë euro. Ne jemi të gatshëm me paguar taksën ujore, por na duhet me u pajisur me leje ujore”, ka thënë Osmani.

Vëllaznim Osmani nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka thënë se shumë herë kanë qenë afër zgjidhjes së problemit të taksës ujore, por ndryshimet e shpeshta në Qeveri e kanë bërë të pamundur.

“Me anë të një udhëzimi administriv në vitin 2016 një prej kërkesave, ka qenë të filloj faturimi, ndërsa sot jemi në vitin 2018, mirëpo askush nuk e di sakt sa është borxhi, dhe ende po vazhdon ky problem”, theksoi ai duke shtuar se sektori i prodhimit të ujit padrejtësisht etiketohen fajtor.

Ndërsa, prodhuesi Visar Kelmendi ka thënë se sot e 13 vjet vazhdon problemi i faturimit të resurseve të ujit dhe legalizimit të këtij sektori.

“Ne kemi pranuar të legalizohemi, por jo në formën si ka dëshiruar Qeveria. Ky borxh sipas nesh është inekzistent. Ky borxh është i vjetër dhe nuk ekziston. Në vitin 2016 nëpërmjet një udhëzimi administrativ, është një nen, neni 12, që është famëkeq për borxhet. Andaj kërkojmë me ngulm që të na i dërgojnë faturat dhe kërkojmë legalizim. Kryeministri Ramush Haradinaj mori një vendim, por presionin politik që e pati, ai vendim nuk gjeti zbatim, sepse e quajtën kryeministrin hajn, po ashtu edhe neve në quajtën hajn dhe të pa përgjegjshëm. Më së paku është faj tek ne, problemi është në qeveri”, ka thënë Kelmendi.

Është raportuar se Qeveria ka falur borxhet e prodhuesve të ujit rreth 60 milionë euro, prodhuesit e kanë kundërshtuar këtë shifër të borxhit dhe është zbatuar as një vendim për faljen e borxheve.

Back to top button