Këshilli i Sigurimit i OKB-së me takim urgjent për Iranin

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një seancë emergjente të shtunën, pasi SHBA-të dhe Izraeli nisën sulme ajrore ndaj Iranit, të cilat kanë shkaktuar reagime të gjera.
Seanca emergjente u kërkua nga misionet e përhershme të Francës, Bahreinit, Kinës, Rusisë dhe Kolumbisë, sipas një deklarate nga misioni i përhershëm i Rusisë në OKB, shkruan Anadoll Agency, transmeton KosovaPress.
Takimi pritet të zhvillohet të shtunën pasdite.
“Veprimet e pamatura nga Uashingtoni dhe Jerusalemi Perëndimor kundër një shteti sovran anëtar të OKB-së përbëjnë një shkelje të drejtpërdrejtë të parimeve dhe normave themelore të së drejtës ndërkombëtare”, tha misioni rus, duke paralajmëruar se “aventura të tilla të rrezikshme kanë për qëllim të minojnë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme”.
Rusia do të “kërkojë që Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli të ndërpresin menjëherë veprimet e tyre të paligjshme dhe përshkallëzuese dhe të nisin një rrugë drejt një zgjidhjeje politike dhe diplomatike”, shtoi deklarata.
Ky veprim vjen pasi SHBA-të dhe Izraeli nisën një sulm të përbashkët ndaj Iranit herët të shtunën, duke pretenduar se kishte për qëllim të largonte “kërcënimet” e paraqitura nga “regjimi” iranian.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe Presidenti i SHBA-së Donald Trump publikuan deklarata të ndara në video, të cilat gjithashtu aluduan në mbështetjen e përpjekjeve për një ndryshim në qeverinë në Teheran.
Irani i quajti sulmet një shkelje të sovranitetit dhe nisi sulme hakmarrëse.