Këshilli Prokurorial i Kosovës mbështet Lumezin

1 min read

 

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) përmes një deklarate për media siguron opinionin publik se Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka mbështetjen e plotë të të gjithë anëtarëve të Këshillit në ushtrimin e mandatit të tij Kushtetues dhe ligjor.

Sipas KPK-së, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në vazhdimësi është vlerësuar maksimalisht për punën e tij sipas standardeve më të larta nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Andaj theksohet se çfarëdo tendence për inskenime të mundshme që kanë për qëllim destabilizimin institucional, cenimin e integritetit, mandatit dhe prestigjit të Kryeprokurorit të Shtetit, do të dështojnë.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës si organ Kushtetues i pavarur dhe i paanshëm, nuk do të lejojë asnjë interferim apo çfarëdo interesi nga jashtë, përfshirë edhe dëshirat e partive politike, individëve të caktuar dhe grupeve të interesit të ndikojnë në punën dhe mandatin e bartësve të sistemit prokurorial, përkatësisht të Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në reagimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës./21Media