Këshilli Prokurorial i reagimin e shoqërive civile: Gjuha e përdorur është tendencioze

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar ndaj disa organizatave joqeveritare për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, ku sipas KPK-së zgjedhja e këtij të fundit deri në këtë fazë ka qenë objektiv, jodiskriminues, transparent, gjithëpërfshirës dhe i bazuar plotësisht në meritokraci, në kundërpërgjigje të koalicioneve joqeveritare, që të enjten rekomanduan që ky proces të anulohet.
”Publikimi i konceptdokumenteve, intervistimi i kandidatëve në prani të përfaqësuesve të OJQ-ve dhe partnerëve ndërkombëtarë, xhirimi dhe transmetimi i të gjitha intervistave të kandidatëve përmes mediumit publik, Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), i cili mundësoi që secili qytetar të përcjellë këtë ngjarje të rëndësishme në sistemin e drejtësisë, padyshim, është dëshmia më e mirë që ky proces, siç e thekson edhe vetë raporti i kësaj pjese të shoqërisë civile, është një praktikë tepër pozitive dhe e pashembullt deri me tani në ndonjë institucion relevant, me ç’rast iu ka dhënë mundësia publikut, OJQ-ve dhe mediave që ta përcjellin drejtpërdrejt dhe në kohë reale ketë ngjarje për zgjedhjen e kandidatit për pozitën më të lartë në sistemin prokurorial”, thuhet në njoftim.
Prandaj, sipas KPK-së tendencat dhe gjuha e përdorur nga një pjesë e shoqërisë civile, nuk është asgjë tjetër, përveçse tendencioze, e pabazuar dhe pa asnjë mbështetje ligjore, me prapavijë dhe në shërbim të atyre që kanë intencë të ndërhyjnë në pavarësinë e këtij institucioni të garantuar me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi.
”Paradoks në vetvete dhe tejet i pakuptueshëm është fakti kur i njëjti raport i këtij koalicioni të një pjese të OJQ-ve i paraqet si fajtorë për një proces të pavarur, të drejtë dhe të paanshëm, një Udhëzues, i cili ka të bëjë me aplikimin e Nenit 13 dhe 14-të të Rregullores për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës dhe formularët mbi konceptdokumentet e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit”, thuhet tutje në njoftim.
Sipas KPK-së tërë hapat, nga fillimi e deri tek kjo fazë e intervistimit, janë ndërmarrë në plotëni me partnerët ndërkombëtarë, të cilët kanë mbështetur gjithmonë sistemin prokurorial.
Krejt në fund, KPK-ja kërkon edhe nga përfaqësuesit politikë të institucioneve të ndryshme që të respektojnë pavarësinë e pushtetit prokurorial dhe të përmbahen nga çfarëdolloj deklaratash politike, të cilat do të vlerësoheshin si ndërhyrje në këtë proces të zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit./21Media

Back to top button