KFOR-i amerikan dhuron pajisje teknologjike për studentët e gazetarisë

Departamenti i Gazetarisë në Universiteti Prishtinës ka pranuar një donacion nga KFOR-i amerikan, me pajisje teknologjike që përfshin llaptopë dhe Smart TV. Këto pajisje do të shërbejnë për avancimin e kushteve të punës dhe në zhvillimin e shkathtësive të studentëve të gazetarisë.
Në emër të Departamentit të Gazetarisë, profesoresha prof. ass. Remzie Shahini-Hoxhaj falënderoi KFOR-in për bashkëpunim, duke shtuar se ky donacion do të ndihmojë studentët e gazetarisë në shumë fusha dhe veçanërisht në zhvillimin e shkathtësive në edukimin medial.

Dekanja e fakultetit të Filologjisë, Prof. Dr. Lindita Sejdiu-Rugova, ndërkohë u shpreh krenare me bashkëpunimin e KFOR-it në zhvillimin dhe digjitalizimin e punës për studentët e gazetarisë.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. Dr. Naser Sahiti i cili ka falënderuar KFOR-in për këtë donacion dhe mbështetjen e vazhdueshme për UP-në.

LTC Jarmo Holopainen nga zyra e CIMIC-ut (Ekipi Ushtarak dhe Civil) i KFOR-it, u shpreh se kjo është një nga mënyrat që KFOR-i ndihmon komunitetin.

Departamenti i Gazetarisë ka realizuar disa projekte me misionin e KFOR-it në Kosovë./21Media

Back to top button