KFOR-i gjerman vazhdon mandatin në Kosovë

Gjermania edhe në të ardhmen do të dërgojë ushtarë në forcën e KFOR-it në Kosovë.

Qeveria gjermane ka vendosur, që të vazhdohet mandati. Bundestagu duhet ta miratojë këtë vendim.

Siç është thënë në faqen e Qeverisë së Gjermanisë, edhepse situata e sigurisë në Kosovë është kryesisht e qetë dhe stabile, vlerësohet se ende ka rrezik për konflikt e përshkallëzim në rajon, veçanërisht në veri të Kosovës në kufi me Serbinë.

“Më 27 shkurt dhe 18 mars të vitit 2023, Kosova dhe Serbia ranë dakord për një marrëveshje të rëndësishme bazë. Ky është një hap i rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve mes vendeve. Në këtë kontekst, prania e KFOR-it po ashtu do të jetë e nevojshme në të ardhmen në mënyrë që të jetë në gjendje të plotësojë forcat e sigurisë së Kosovës dhe misionin e BE-së për sundim të ligjit (EULEX) në rast të përkeqësimit të situatës së sigurisë”, thuhet në arsyetimin e Qeverisë së Gjermanisë.

Po ashtu në faqe të Qeverisë së Gjermanisë është treguar për ndihmën që Gjermania e jep vazhdimisht për sigurinë në rajon.

Është thënë se mund të vendosen në mision të KFOR-it deri në 400 ushtarë gjermanë.

“Mbi të gjitha, ushtarët gjermanë mbështesin ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, koordinimin e ndihmës humanitare ndërkombëtare dhe po ashtu ndërtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës si organizatë ndërkombëtare të sigurisë në vend. Mund të dislokohen gjithsej deri në 400 ushtarë gjermanë. Edhe në nivel të BE-së, Gjermania po merr pjesë në dialogun e normalizimit ndërmjet republikave të Serbisë dhe Kosovës në fushën joushtarake”, është thënë nga Qeveria e Gjermanisë.

Back to top button