Kilaj, Smakaj e Fazliu dërgohen në Hagë

Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Faziu, janë nisur për në Hagë nga zyrat e EULEX-it në Fushë-Kosovë ku po mbaheshin prej të enjtes.

ZPS-ja të enjten ka njoftuar se është ndërmarrë aksion i gjerë në Kosovë, ku janë kryer arrestime e bastisje në disa shtëpi të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Bashkim Smakaj e kishte udhëhequr AKI-në nga 2009-2015, kur kishte dhënë dorëheqje pak pasi ishte emëruar për mandatin e tij të dytë.

Isni Kilaj ishte arrestuar për herë të parë në nëntor 2023 nën dyshimet për pengim të drejtësisë dhe u lirua me kusht në maj 2024 pasi pagoi dorëzani 30.000 euro.

Në shtator, ZPS-ja ndryshoi aktakuzën ndaj Kilaj, por nuk dha hollësi për ndryshimet e bëra.

Në Hagë po ashtu është duke u zhvilluar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës.

Kilaj, Smakaj e Fazliu pritet të nisen për në Hagë

Back to top button