Kim: Nëse jeni të përfshirë në korrupsion, është koha për t’u ndalur

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, sot ka reaguar pas vendosjes së sanksioneve ndaj krerëve të krimit të organizuar në Veri, Zvonko Veselinoviq e Milan Radojiçiq, si dhe grupit të tij të krimit të organizuar.
“Përcaktime publike të tilla ndonjëherë duan vite për t’u realizuar, por kur ndodhin janë shkatërruese. Nëse jeni të përfshirë në korrupsion apo përpjekje për të minuar demokracinë, tani është koha e duhur për t’u ndalur dhe për të marrë parasysh pasojat”, ka shkruar ajo në Twitter.
Ndryshe, Zyra e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka targetuar sot rrjetet e korrupsionit në disa shtete të Evropës dhe Hemisferës Veriore, në mesin e tyre edhe Zvonko Veselinoviqin dhe grupin e tij të krimit të organizuar si përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë.
Lajmi është bërë i ditur nga kjo zyrë përmes një komunikate për media, ku është shkruar se Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij Zharko Jovan Veselinoviq kanë pasur marrëveshje me politikanë për t’i ndihmuar partitë e tyre për t’i fituar zgjedhjet dhe në këmbim politikanët do t’i garantonin vëllezërve Veselinoviq kontroll të disa bizneseve në disa rajone./21Media

Back to top button