Kjo është mesatarja e rritjes së çmimit të rrymës

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka marrë vendim që energjia elektrike të shtrenjtohet për 15.4 për qind në vitin 2023. Në mbledhjen e së enjtes, bordi ka vendosur që rritja e tarifave të jetë për të gjitha kategoritë, duke shpërfillur komentet e Qeverisë së Kosovës, që për konsumatorët shtëpiakë deri në 800 kWh të mos ketë rritje të energjisë.

Kryesuesi i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, në konferencë për medie pas mbledhjes së bordit e ka arsyetuar shtrenjtimin e energjisë elektrike, duke e konsideruar të domosdoshme për të shmangur reduktimet.

“Kjo rritje është minimale për të reflektuar ose për të pasur furnizim të vazhdueshëm me energji elektrike gjatë vitit 2023, përkatësisht tre mujorin e parë të vitit 2024….Rregullatori e ka për obligim, në mënyrë që të kemi 24 orë energji elektrike. Ne kemi pasur mundësi që këtë rritje me shmangë, por ish dashur të shkojmë në reduktime. Reduktimet janë kosto më e madhe për gjithë kategoritë e konsumatorëve”, ka thënë Fejzullahu.

Ai është shprehur se rritja mesatare për konsumatorët që shpenzojnë deri 800 kWh energji elektrike do të jetë 5 euro, kurse për ata që konsumojnë mbi 1000 kWh do të jetë 10 euro.

“Konsumatorët që konsumojnë rreth 300 kilovat rritja do të jetë 2.88 centë, prej 450 kilovat fatura mujore do të rritet rreth 4.20 centë. Ata që konsumojnë 600 kilovat në muaj rritja do të jetë prej 5 euro e 50 centë, ndërsa konsumatorët që konsumojnë deri 800 kilovat orë rritja e faturës do të jetë rreth 7 euro e 2 centë. Reflektimi prej 15 për qind do të thotë se një mesatare të konsumatorët deri 800 kilovat orë rritja e faturës do të jetë diku rreth 5 euro në muaj. Ndërsa, sa i përket secilës kategori do të publikohen në vazhdim në ueb faqen e ZRRE-së”, është shprehur ai.

Fejzullahu ka nënvizuar se kosto e furnizimit me energji elektrike do të reflektojë te secila kategori shoqërore.

“Rregullatori e ka obligim që të reflektojë kostot e furnizimit me energji secilës kategori të konsumatorëve. Për neve është obligim që të alokojmë secilës kategori koston e furnizimit me energji elektrike. Konsiderojmë se është e padrejtë siç është propozuar edhe përmes komenteve të palëve të tjera që t’i rritet një kategorie të konsumatorëve, siç janë konsumatorët banesorë, meqenëse kosto e furnizimit në nivelin 04 është si për konsumatorët shtëpiakë sikur ata komercialë. Është e padrejtë që një kategorie të konsumatorëve të i alokohet një kategorie të tjetër. Prandaj, edhe propozimi i stafit të ZRrE-së dhe bordit është marrë që të reflektojë secilës kategori koston e furnizimit me energji elektrike”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, Zejnullahu nuk ka treguar se sa do të jetë çmimi i një kilovati energji në tarifën e lartë dhe të ulët.

Ai ka thënë se tarifat e reja do të hyjnë në fuqi prej datës 1 prill 2023 dhe do të jenë valide deri më 31 mars të vitit 2023, nëse deri atëherë nuk do të përmbushen kriteret për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave.

Back to top button