Kjo është mosha ideale për aplikimin e botox-it dhe fillerave, për RTV21 tregon dermatologia

Botox-i dhe fillerët janë dy produkte të ndryshme, mirëpo të dyja injektohen me gjilpërë dhe përdoren në dermtologjinë estetike si trajtime anti rrudhë. Pra janë dy produkte të ndryshme me përmbajtje po ashtu të ndryshme.
Prandaj për ta treguar dallimin në mes këtyre dy produkteve, për rtv21.tv ka folur dermatologia, Merita Grajçevci- Kotorri.
Sipas dermatologes dallimi më i madh midis Botox-it dhe fillerëve është se Botox përdoret për të reduktuar linjat e imta dhe rrudhat duke paralizuar muskujt e poshtëm, ndërsa fillerat nga ana tjetër përdoren për të mbushur rrudhat, për të shtuar volum si në  mollëza, buzë etj.
”Fillerat zakonisht përmbajnë acid hyaluronik dhe ky acid gjendet natyrshëm në trup, duke përfshirë lëkurën, indin lidhës dhe nyjet por me moshë niveli i tij në trupin tonë është gjithnjë më i vogël duke bërë kështu humbjen e volumit në fytyrë’”, ka thënë dermatologia.
Për aplikimin e këtyre produkteve sipas dermatologes rekomandohet mosha mbi 18 vjeç, kjo pasi për efekt më të mirë të paranadalimit të rrudhave duhet të fillohet më herët për trajtim.
”Tek mosha 20-30 vjeqare mund të  aplikohet baby botox (apo mikro doza të  botoxit) si trajtimin parandalues. Ndërsa është problem të ketë efekt të dëshirueshëm tek mosha 50 vjeçare pasi rrudhat janë  shumë  të  thella atëherë edhe rezultati është më  i dobët”, është shprehur dermatologia.
Mendimet se botox-i dhe fillerat paraqesin probleme për lëkurën ose vendet ku aplikohen, dermatologia  Merita Grajçevci- Kotorri i hodh poshtë. Ajo për rtv21.tv ka treguar se Botox-i nuk ka pasoja negative nëse aplikohet nga një profesionist. Madje përmes kësaj metode nuk ekziston mundësia për krijimin e rrudhave të reja sepse bëhet bllokimi i muskujve, dhe kur muskujt nuk mund të lëvizin, mundësia që të krijohen rrudha të reja është zero.
Botox-i e ka efektin të qëndrojë 3-4 muaj ndërsa fillerat varësisht nga prodhuesi mund të qëndrojnë 6-18 muaj. Pra varësisht organizmit ndryshon edhe kohëzgjatja e tretjes.
Botox-i si proces zgjat 15 minuta, dhe efektet e tij vërehen pas 4-10 dite, madje nuk është proces i dhimbshëm kjo pasi gjilpëra që përdoret gjatë aplikimit është shumë e hollë.
Sipas dermatologes, kërkesat më të mëdha për aplikimin e Botox-it janë: eleminimi i rrudhave të ballit dhe rrudhave të syve, ndërsa për fillera zakonisht kërkohet mbushja e mollëzave, e buzëve , mbushja e rrudhave rreth gojës, konturimi i fytyrës etj.
Merita Grajçevci- Kotorri ka dhënë një sygjerim për parandalimin e rrudhave si dhe mbrojtjen nga dielli.
”Plakja e lëkurës varet nga shumë faktorë si ato gjenetikë, hormonalë, rrezatimi ultraviolet, ndotja ambientale, konsumi i duhanit, problemet mjekësore. Unë rekomandojë  që  të  kemi një  rutinë  ditore të  kujdesit ndaj lëkurës, të  bëhen trajtime estetike për  mirëmbajtje të  lëkurës së  paku një  herë  në  muaj për të ruajtur vitalitetin e lëkurës dhe natyrisht mbrojtja nga dielli dhe mos përdorimi i solariumit”, ka thënë dermatologia./21Media

Back to top button