Klina feston rikthimin e Sokol Bashotës

Qindra qytetarë sot u mblodhën në Podujevë për të pritur ish-anëtarin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe kryetarin e Degës së PDK-së në Klinë, Sokol Bashotën.
Me pankarta në duar qytetarët u stacionuan për daljen e Bashotës. Nuk vonoi shumë e ky u fundit iu bashkëngjit turmës që ishin mbledhur për të. Me përqafime e përshëndetje u prit ish kryetari i komunës.
Me marrshim me qytetarët e komunës së Klinës, Sokol Bashota fillimisht u drejtua drejt shtatores së komandantit Mujë Krasniqi për homazhe.
Ai në pritjen e organizuar nga Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, e cila u mbajt në sheshin “Mujë Krasniqi”, në Klinë, tha se pushimi i hetimeve 5 vjeçare ndaj tij, është inkurajim për të dhe bashkëluftëtarët e tij.
“Jo vetëm këtu por çdokënd, edhe atje, në çdo institucion, të thuhet vetëm e vërteta, e vërteta për luftën e UÇK-së, e vërteta për qytetarët e këtij vendi, për punën e secilit. Kjo do t’i mjaftojë të gjithëve dhe epilogu i gjithë kësaj do të jetë i njëjti për të gjithë sikurse edhe për mua. Unë personalisht nuk është se nuk i gëzohem faktit që kanë pushuar hetimet ndaj meje por më shumë me gëzon fakti se ata dëshmuan edhe një herë se lufta e UÇK-së ishte e pastër. Këtë barrë 5 vjeçare që e kam pas jo rrallë ka ndikuar edhe në proceset dhe angazhimet e mija politike, për arsye se na kishte veshur diçka që nuk e kishim asnjë faj por më në fund, e vërteta doli në shesh, prandaj ky vendim është inkurajim jo vetëm për mua por për të gjithë bashkëluftëtarët e UÇK-së”, tha ai.
Sipas tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka nevojë të mbrohet atje, pasi atë e mbron qëllimi dhe lufta e drejtë por edhe sakrifica dhe kudo.
“Po, të thuash UÇK i ke thënë të gjitha. Prandaj çdoherë dhe në çdo kohë do ta mbrojmë këtë luftë të shenjët. Historia nuk mund të rishkruhet më, ajo është shkruar me gjakun e shumë bashkëluftëtarëve. Kjo histori nuk tjetërsohet, ne do të kemi sfida, do të kemi barriera por të jeni sigurt që ato sfida e barriera nuk na kanë ligështuar dhe nuk do të na ligështojnë kurrë, ne do të dalim faqebardhë, do të dal faqebardhë UÇK-ja për arsye se ajo ishte burim i vullnetit të juve qytetarë të nderuar, andaj faleminderit shumë për këtë pritje që më keni bërë”, tha ai.
Në këtë pritje ishin me qindra qytetarë e bashkëluftëtarë që kishin dal për t’i uruar mirëseardhje ish- anëtarit të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së
Hajdin Balaj, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Klinë, tregon se të gjithë të burgosurit do të kthehen së shpejti faqebardhë nga Dhomat e Specializuara të Hagës.
“Ne nuk e kemi sulmu Beogradin, ne e kemi mbrojt vetëm atdheun. Ata me shpifjet e tyre që mundohen me njollos UÇK-në nuk kanë shansë teorike. Ne kemi dhënë dëshmorë, kemi dhënë gjak, i kemi dhënë gjymtyrët e trupit vetëm për të çliru vendin tonë. Sokoli e ka tregu pastërtinë e luftës dhe ata që janë në Hagë shpresoj që shumë shpejt do të vijnë të pastër me kokë lart dhe ti tregojnë krejt botës se shqiptarët nuk kanë bërë masakra, nuk kanë bë keqtrajtime po vetëm e kanë mbroj vendin e vet”, u shpreh …
Ndër qytetarë ishte edhe Izet Milazimi, i cili dëshiron që Bashota të rikthehet përsëri në pozitën e kryetarit të komunës.
“Emocione kem pak, jemi gëzu që ka ardhur e që është lëshuar prej kësaj aktakuze…Kemi dal me qytetarë të fshatit, të Klinës, kemi dal bashkë me e prit…U takova me kryetarin e edhe unë jam bashkëluftëtar i tyre, jam edhe i plagosur me Mujë Krasniqin… Mesazh kam për kryetarin me sjellë edhe një herë në pozitën e kryetarit të Komunës së Klinës sepse e meriton me qenë në atë vend”, u deklarua ai.
Pas fjalimit të Sokol Bashotës, qytetarët shfrytëzuan rastin që të bëjnë fotografi me të. Nuk kaloi shumë e turma u shpërnda.