KMDLNj dënon gjuhën fyese ndaj deputetes Ganimete Musliu

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, u shndërrua në objekt fyerjeje dhe denigrimi në rrjetet sociale për shkak të guximit që të përballet në një debat në Kuvendin e Kosovës me kryeministrin Kurti. Fyerjet dhe sharjet në rrjetet sociale ndaj deklarimeve të saj në Kuvend, nxitën reagime të tjera në Kosovë duke i cilësuar një pjesë të komenteve si racizëm kulturor ndaj një rajoni të vendit.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj gjuhës se komenteve në drejtim të deputetët Ganimete Musliu, duke thënë se KMDLNj ka besuar se ndaj këtyre fyerjeve, pavarësisht ndaj kujt, Policia e Kosovës është dashur dhe duhet të reagojë sipas detyrës zyrtare aq më parë që fyerjet janë publike, lehtësisht të identifikueshme.
Sipas KMDLNj-së, Policia e Kosovës përkatësisht njësia për krime kibernetike ka kapacitet profesional ta bëjë këtë në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Liria e fjalës dhe e shprehjes, si të drejta elementare të njeriut nuk nënkuptojnë liri të pakufishme apo mundësi që ato të keqpërdoren për t’i fyer të tjerët në kundërshtim jo vetëm me këto të drejta por edhe me standardet morale minimale. KMDLNj befasohet dhe shqetësohet për mosreagim ndaj këtyre fyerjeve që po përsëriten, si nga institucionet ashtu edhe nga opinioni. KMDLNj ka besuar se ndaj këtyre fyerjeve, pavarësisht ndaj kujt, moshës dhe gjinisë, besimit fetar, bindjeve politike apo statusit shoqëror, Policia e Kosovës është dashur dhe duhet të reagojë sipas detyrës zyrtare aq më parë që fyerjet janë publike, lehtësisht të identifikueshme sikur që Policia e Kosovës përkatësisht njësia për krime kibernetike ka kapacitet profesional ta bëjë këtë në mënyrën më të mirë të mundshme”, thotë Këshilli në këtë reagim./21Media

Back to top button