KMDLNj-ja kërkon që një i paraburgosur të dërgohet për shërim jashtë vendit
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka kërkuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe gjykata kompetente që i paraburgosuri me inicialet T.M 37 vjeç të transferohet jashtë vendit për trajtim shëndetësor.
I paraburgosuri, sipas KMDLNj-së po trajtohet në QKUK, për faktin se në Burgun e Dubravës nuk ka mundësi të trajtohet sa dhe si duhet.
“Familja e T.M. i është drejtuar KMDLNj-së me një deklaratë të cilës i ka bashkangjitur një dosje mjekësore me të cilën vërteton se gjendja shëndetësore e anëtarit të familjes, tash të paraburgosur është e rëndë, me tendencë të përkeqësimit nëse nuk i ofrohet ndihma e duhur mjekësore dhe se këto shërbime, përkatësisht analiza / biopsi nuk bëhen në QKUK-ë apo në ndonjë spital privat në Kosovë përveç në Shkup, ku është trajtuar për një kohë të gjatë”, thuhet në njoftimin e Këshillit.
Sipas tyre, T.M. është vetëm me një veshkë dhe ate e ka të transplantuar andaj e ka një gjendje delikate shëndetësore e cila kërkon trajtim profesional e që, në vendin tonë dhe në rrethanat aktuale nuk mund t’i ofrohet.
“Gjatë intervistimit, i paraburgosuri T.M. i deklaroi KMDLNj-së se nuk ka vërejtje në sjelljen e personelit shëndetësor në QKUK, të cilët në kuadër të mundësive dhe kushteve e bëjnë angazhimin maksimal, por se analizën e duhur nuk kanë mundësi ta bëjnë e që mund të ndikojë në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore, me rrezik që ta humbë edhe veshkën e transplantuar dhe të përfundojë në dializë. Gjatë trajtimit që i bëhet konsumon 13 barëra të ndryshme sikur që merr terapi për COVID -19 pasi është infektuar për herë të dytë, e që është qartësuar në raportin e konsiliumit mjekësorë. Për analizën / biopsinë, i paraburgosuri T.M. duhet të shkojë në një spital privat në Shkup e që për shkak se është i privuar nga liria dhe nën hetime e ka të pamundur ta bëjë këtë, pa lejen e gjykatës”, thuhet tutje në njoftimin e Këshillit.
KMDLNJ-ja ka theksuar se ka mandat të kërkojë që të paraburgosurit t’i ofrohet mundësia për trajtim të nevojshëm shëndetësor në mënyrë që t’i mos i rrezikohet jeta, e cila e drejtë është e garantuar me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria./21Media