KMDLNj-Thaçit: Bëjeni publike listën e të dënuarve që i keni falur!

”KMDLNj kërkon që sa më parë ta bëni publike listën e personave që i keni falur (nëse i keni falur) në mënyrë që të mos i leni në pritje dhe ankth të dënuarit që kanë kërkuar të falur nga Ju…”

Këshilli për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut (KMDLNj) përmes një letre të hapur i ka kërkuar nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi që të bëj publike listën e të dënuarve që i ka falur.

”Sipas informatave të KMDLNj – së për faljen e Presidentit kanë aplikuar më shumë se 700 të dënuar. Të gjitha këto kërkesa janë shqyrtuar nga komisioni ad hoc që Ju e keni formuar dhe që sipas informatave të KMDLNj – së e ka përfunduar punën duke ua dorëzuar listën me emrat e të dënuarve që sipas vlerësimit të komisionit ad hoc e meritojnë të falen mirëpo Ju, sipas kompetencave që iu jep Ligji mund t’i falni të gjithë nga lista e propozuar nga komisioni ad hoc sikur që mund të mos e falni asnjë të dënuar që ka kërkuar falje. Në rastin konkret, Ju, z. President e keni fjalën e fundit sikur që edhe vendimi përfundimtar është i Juaj , përkatësisht vullnetit Tuaj. Për informim të opinionit, KMDLNj nuk është pjesë e komisionit ad hoc prandaj edhe nuk është në gjendje t’u jap një informatë të saktë të dënuarve që kanë kërkuar falje, familjarëve të të dënuarve, mbrojtësve e as të tjerëve që kërkojnë informata nga KMDLNj”, bëhet e ditur në komunikatë.

Më tutje, KMDLNj njofton se kanë kërkuar që ata që e meritojnë të falen, sepse kjo do t’i motivonte ata.

”KMDLNj, në rastin konkret ka dalë në anën e të dënuarve duke kërkuar të falet një numër më i madh se viteve paraprake në rast se i plotësojnë kushtet për falje aq më parë që faljet e mëparshme kanë qenë më shumë provokim i situatës së sigurisë në burgje që kanë ndikuar në tensionimin e situatës se sa një demostrim i vullnetit dhe mëshirës së Presidentit t’i lirojë ata që e meritojnë gjë që do të reflektonte në motivimin e të burgosurve të sillen mirë duke e pranuar programin e risocializimit. Mosbërja publike e listës së atyre që eventualisht i keni falur e tensionon situatën brenda institucioneve ku mbahen ata që kanë kërkuar falje sikur që në masë të madhe e vështirëson punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës që në rastin konkret nuk mbanë asnjë përgjegjësi por se mund të përballet me shumë probleme!”, bën të ditur më tutje KMDLNj./21Media

 

Back to top button