KMDLNj: Veteranët duhet të përfshihen në ligjin për paga, të mos diskriminohen

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut – KMDLNj ka reaguar për protestën e sotme të veteranëve të OVL UÇK-së, me ç’rast ka bërë të ditur se e përkrahë çdo protestë paqësore, si njëra ndër të drejtat elementare të njeriut dhe në këtë kontekst e përkrahë edhe protestën e veteranëve të luftës e cila është imponuar për shkak të shpërfilljes së skajshme që ia bëjnë institucionet aktuale të Kosovës.
KMDLNj –ë ka vlerësuar se Kryesia e Kuvendit dhe vet kryetari i Kuvendit është dashur ta pranojnë një grup pëprfaqësues të veteranëve të luftës, të dëgjojnë propozimet e tyre dhe të shmangin konfrontimin e veteranëve të luftës me Policinë e Kosovës e që është krejtësisht e panevojshme.
“KMDLNj –ë nuk sheh asgjë të keqe nëse një grup përfaqësues i veteranëve të luftës të merr pjesë edhe në seancën e sotme të Kuvendit e që do të ishte si gjest i vullnetit të mirë të institucioneve për tejkalimin e situatës së krijuar që pashmangshëm, nëse nuk zgjidhet do të përshkallëzohet në të ardhmën. Deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe bartësit e posteve institucionale shtetërore duhet ta kenë të qartë se pa kontributin e këtyre veteranëve, as ata nuk do të ishin në postin dhe vendin ku janë.  KMDLNj –ë e përkrahë protestën e arsyeshme dhe të drejtë të veteranëve të UÇK-së duke ftuar palët që të ulen dhe përmes bisedimeve të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të gjithë në mënyrë që të mënjanohet përshkallëzimi i situatës sikur që ndodhi sot.”, është bërë e ditur në komunikatë.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka ftua institucionet e Kosovës të tregojnë më shumë respekt për veteranët e luftës dhe të mos i shpërfillin duke diskrimunar përmes përjashtimit nga Ligji për pagën minimale.
“KMDLNj –ë përkujton opinionin dhe politikbërësit se edhe paga minimale e propuar nga Qeveria e Kosovës (264 euro), më shumë paraqet fyerje për veteranët e UÇK-së se sa që është një vlerësim e lëre më shpagim për kontributin e tyre gjatë luftës së fundit në Kosovë!”, është bërë e ditur tutje në komunikatë.
Ndryshe, veteranët e luftës së UÇK-së sot protestuan para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku gjatë protestës tha se dëshmojnë se tentimet për mohimin e gjithë kontributit dhe sakrificave të luftëtarëve të UÇK-së nga ana e institucioneve të vendit nuk do të kenë sukses. Klinaku shtoi se do të vazhdojnë me protesta deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Veteranët e UÇK-së po ndihen të diskriminuar, duke mos u përfshirë në këtë rritje, pasi pensioni i tyre aktual është aq sa është paga minimale./21Media

Back to top button