KMLDNJ për plagosjen në Shtërpcë: Mos e paragjykoni rastin, të përfundojnë hetimet

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar për plagosjen e dy të rinjve mbrëmë në Shtërpcë
KMLDNJ thotë se ky rast s’është dashur të politizohet dhe se s’mund të kërkohet dorëheqja e ministrit të Mbrojtjes apo të Ministrit për Punë të Brendshme meqë thotë se duhet të trajtohet si rast individual.
“Menjëherë pas këtij akti të rëndë erdhën reagimet e ndërkombëtarëve dhe politikanëve të Kosovës që bënin gara se kush do të reagonte më ashpër dhe se kush do ta cilësonte këtë vepër më kriminale duke paragjykuar edhe motivin e plagosjes së dy të rinjve serbë, ende pa filluar hetimet e lëre më që ato të kishin përfunduar. Në të njëjtën kohë pasuan edhe reagimet nga politikanët e Serbisë, duke filluar nga Aleksandar Vuçiq e deri te vajtuesi kujdestar për fatin e serbëve në Kosovë, Petar Petkoviq ndërkaq që popi Teodosije i vizitoi të plagosurit në Graçanicë duke ia dhënë një rend të reagimeve, në valle me politikanët”, shkruhet në deklaratën për media të KMLDNJ-së.
KLMDNJ përgëzon Policinë e Kosovës për reagim të shpejtë për arrestimin e personit të dyshuar për plagosjen e dy të rinjve. Megjithatë, fton edhe për pritje deri në përfundimin e hetimeve ndaj incidentit nga institucionet relevante dhe mos të ndërhyhet në këtë proces.
“Pret që institucionet e drejtësisë , pas procedimit të provave të marrin vendim për caktim të shkallës së përgjegjësisë e jo në bazë të presionit dhe ndërhyrjes së politikës , ndërkombëtare dhe vendore në formë të reagimeve të ashpra duke përdorur retorikën politike , në vend të argumentit dhe mosndërhyrjes në punën e hetuesisë dhe gjyqësorit. Sidomos është e palejueshme zbatimi i standardeve të dyfishta edhe gjatë reagimeve. KMDLNj pretë dhe është i sigurt se ky rast do të trajtohet në përputhje me standardet profesionale dhe ligjeve në fuqi.”
“KMDLNj iu beson institucioneve përgjegjëse për trajtim të këtij rasti andaj është kundër çdo paragjykimi të rastit deri në kohën kur të merret një vendim një vendim i formës së prerë të gjykatës përkatëse. Nga aspekti i tē drejtave të njeriut ky akt vetëm sa e shpërfaq mungesën e sigurisë dhe KMDLNj shpreh keqardhje për plagosjen e dy të rinjve serbë duke iu uruar shërim të shpejtë dhe të suksesshëm.”. thuhet ndër tjerash në reagim. /21Media

Back to top button