Kaloni te përmbajtja kryesore

Koalicionet? NISMA e hapur për të gjitha subjektet politike

Komisioni Qendror i zgjedhjeve i tha RTV21 se duhet të presin vendimet e Gjykatës Supreme në lidhje me ankesat e mundshme që do të dorëzohen pas vendimit të PZAP-së për rrëzimin e tyre në mënyrë që t’i hapet rrugë certifikimit të rezultateve zgjedhore. Në anën tjetër anëtar të LVV-së konfirmuan se do t’i drejtohen Gjykatës Supreme siç thanë brenda afatit ligjor. Ndërkohë njohës të zhvillimeve politike vlerësojnë se subjektet politike duhet të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të mirën e vendit pasi sipas tyre Kosovën e presin sfida të mëdha në arenën ndërkombëtare.

Pasi që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa rrëzoi të gjitha ankesat e subjekteve politike të cilat kundërshtuan shpalljen e rezultateve zgjedhore KQZ-ja është një hap para certifikimit të rezultateve zgjedhore. Megjithatë, Anëtari i LVV-së, Blerim Sallahu ka deklaruar se pret nga Gjykata Supreme të vendosë pro ankesës së LVV-së.

“Shpresojmë se Gjykata Supreme nuk do të bie pre e papërgjegjësisë, jo profesionalizimit dhe ndikimit politik që PZAP ka pasur nga akterë politik dhe para politik”, tha Sallahu për rtv21.

Nëse edhe Gjykata Supreme rrëzon ankesat e LVV-ja, atëherë KQZ-së i hapet mundësia për certifikimin e këtij rezultati zgjedhor procedurë kjo e cila pritet të ndodhë javën e ardhshme në të kundërtën procesi zgjedhor do të stërzgjatet

“Nëse veç zvarritet dhe Supremja vendosë në favor të LVV-së atëherë merr shumë kohë”, tha Vullnet Bugaqku, KDI.

LVV-ja është shprehur e bindur se do ta formojë qeverinë si subjekt i vetëm edhe pse nuk e ka bërë të qartë se si do t’i sigurojë votat e mjaftueshme për ta votuar qeverinë e saj. Ndërkaq, një derë të hapur për të e ka lënë kryetari i Nismës Fatmir Limaj, i cili në votimet e 9 shkurtit pati një koalicion me AAK-në.

“Po kemi pasur takime me kryetarin e PDK-së dhe kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj”.

Ish-gjyqtari i Kushtetues Kadri Kryeziu, duke përmendur procedurat kushtetuese deri në formimin e qeverisë, ka komentuar edhe zërat se LVV-ja do ta zvarris këtë proces, meqë Kushtetuta e Kosovës ka lënë një vakum sa i përket afatit kohor për emërimin e kryetarit të Kuvendit.

“Po ne hartuesit e Kushtetutes nuk e kemi parapa që mund të ketë parti politike e cila i fiton zgjedhjet dhe nuk dëshiron ta formojë qeverinë pra e ka atë vakum e ka mundësinë që ta zvarris procesin por subjektet politike të mos mendojnë për interesa të partive por ta vendosin Kosovën të parën”, tha Kryeziu.

Njohës të zhvillimeve politike vlerësojnë se Rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit ka shpërfaqur pakënaqësi tek të gjitha partitë politike përfshirë LVV-në e cila nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme për të qeverisur e vetme me vendin./RTV21/21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button