Koalicioni trepalësh shumë larg

Taravari për TV21: Gjasat po zvogëlohen

Po zvogëlohen shanset për ta bërë realitet koalicionin trepalësh mes Aleancës për Shqiptarët, Lëvizjes Besa dhe Alternativës në Maqedoninë e Veriut.

Këtë për TV21 e pohon Sekretari gjeneral i ASH-së Arben Taravari, duke shtuar se po përpiqen të amortizojnë problemet mes palëve, edhe pse kjo është bërë e vështirë.

“Unë me sa e shoh probabiliteti dhe gjasat për këtë koalicionim trepalësh po zvogëlohen. (ngjitje 01.00) Gjasat për t’u ulur tre palët bashkë, nuk është e mundshme. (vazhdim prej 00:36) Së shpejti, ma merr mendja për disa ditë ne si kryesi qendrore duhet të ulemi dhe të sjellim vendimet përfundimtare të ASH se si do të vazhdohet më tutje”, i tha Arben Taravari, TV21.

Nga Lëvizja Besa, sekretari gjeneral Arjanit Hoxha siguron se ata në asnjë moment nuk janë pengesë e koalicionit trepalësh.

“Lëvizja BESA ka vendim të Kryesisë Qendrore ku ka pranuar ofertën e ASH-së për t’i dhënë mundësi fillimit të bisedimeve për një koalicion trepalësh. ASH si iniciatore e kësaj nisme duhet të tregojë se cilat janë pengesat për mos realizimin e takimit trepalësh, ne ju garantojmë se Lëvizja BESA nuk është pengesë”, pohoi Arianit Hoxha nga Lëvizja Besa.

Në fakt, ngërçi që po pamundëson realizimin e këtij koalicioni trepartiak është këmbëngulja e Alternativës për të mos ulur në tryezë bisedimesh me Lëvizjen Besa, për, siç thonë, arsye parimore.

“Ne mbetemi në qëndrim që koalicioni Alternativa-Aleanca, do të ishte koalicioni fitues i këtyre zgjedhjeve dhe që është më e rëndësishme do të ishte koalicioni më i qëndrueshëm edhe pas zgjedhjeve, pasi që nga koalicioni trepalësh që ju e përmendni , kjo pjesa e qëndrueshmërisë do të zbehej pas zgjedhjeve pikërisht nga partneri i tretë hipotetik i këtij koalicioni, prijësit e të cilit janë të prirur për lëkundje të tilla joparimore”, tha Skender Rexhepi nga Alternativa.

E deri sa partitë shqiptare ende s’po merren vesh, kreu i LSDM-së Zoran Zaev ka filluar kalkulimet për koalicione.

“Dalë ngadalë kemi filluar të flasim me partitë. Pothuajse me të gjitha partitë”, deklaroi kreu i LSDM-së, Zoran Zaev

I pyetur se a është i gatshëm të koalicionojë me një koalicion tre ose dypalësh që po përpiqet ta krijojë Aleanca për Shqiptarët, Zaev thotë se është i hapur të bisedojë më të gjithë.

“Vendimet e kësaj natyre i sjellin organet e partisë dhe unë s’mund të them për çfarë jemi të gatshëm ose jo, por mund të them se jam i përgatitur të bisedoj. Do të bisedoj me të gjithë”,shtoi Zaev.

Zgjedhjet e parakohshme mbahen më 12 prill ndërsa deri më tani asnjë parti nuk ka dalë publikisht me koalicion parazgjedhor. LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja drejt zgjedhjeve do të shkojnë me koalicionet e tyre tradicionale me partitë e vogla, por me ato më të mëdha, sidomos shqiptare, zakonisht merren vesh pas zgjedhjeve, në bazë të numrave. Edhe BDI-ja si dhe PDSH-ja janë deklaruar se nuk do të hyjnë në koalicion parazgjedhor me ndonjë parti./TV21

Back to top button