KOK dhe KOKSh nënshkruajnë Memorandum Bashkëpunimi

 

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) në krye me presidentin e ri Ismet Krasniqi dhe stafin e tij pritën sot në takim presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) Fidel Yllin së bashku me sekretarin e përgjithshëm Stavri Bellon.

Presidenti Krasniqi shfrytëzoi rastin që përmes këtij takimi, fillimisht të urojë presidentin Ylli për marrjen e detyrës në krye të KOKSH, duke i uruar suksese përgjatë mandatit të tij katër vjeçar si president.

“Unë personalisht, presidentin e kam uruar përmes telefonit, por sot shfrytëzoj rastin që edhe përmes mediave, edhe në mënyrë fizike sepse sot u takuam për herë të parë, ta uroj për postin e ri, duke i dëshiruar sukses dhe shëndet dhe sukseset më të mira të mundshme në mandatin e tij katër vjeçar”, tha Krasniqi.

Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) Fidel Ylli, i cili tregoi edhe qëllimin e këtij takimi, ku bëri të ditur se do të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi mes KOK-un dhe KOKSH-it.

“Sot erdhëm për të bërë disa projekte të përbashkëta, për të firmosur një memorandum të përbashkët, për shkëmbimet, përvojat e eksperiencën, çështjet e përbashkëta që kanë me mundësinë e bashkëpunimit mes dy Komiteteve Olimpike, dhe do të na vijë një pjesë tjetër e stafit, dhe jemi në prag të një asambleje të Komitetit Olimpik Evropian që do të jetë edhe zgjedhore, dhe agjenda ka qenë shumë e ngarkuar. Kam pasur edhe unë dëshirë si ju që takimet e para t’i bëja me anëtarë të Komiteteve Olimpike Evropiane apo me president, dhe bashkë me sekretarin biseduam që takimin e parë do ta bëjmë në Prishtinë, do ta bëjmë në Kosovë tek vëllezërit tanë, tek gjaku jonë, pasi që kemi të njëjtat zakone, kemi të njëjtat tradita, pavarësisht për momentin që kemi dy flamur, por mendoj që sportin ne duhet ta fusim në rrugën e duhur që Shqipëria të ketë mundësinë e bashkimit nëpërmjet sportit”, tha presidenti Ylli.

Presidenti i KOK-ut Ismet Krasniqi, tregoi rreth bashkëpunimit që kanë me KOKSH-in, duke thënë që bashkëpunimi mes dy palëve, do të jenë edhe më i fortë.

“Takime të shumta ka pasur edhe më herët, dhe bashkëpunimi ka qenë gjithmonë i mirë, për këtë nuk dyshoj dhe jam shumë falënderues sa i përket Kosovës, sepse edhe në momentet kur Kosova nuk ishte pranuar me të drejta të barabarta, apo nuk ishte pranuar fare në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, Shqipëria ka luajt një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e sportit tonë sepse ne kemi marrë pjesë me garues tonë edhe për Shqipërinë ka qenë një përvojë shumë e mirë. Mandej ndikimi i Shqipërisë apo pikërisht Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar ka qenë shumë i mirë edhe në arenat ndërkombëtare, në pranimin e shumë federatave kosovare në federatat ndërkombëtare, kështu që për këtë gjë vërtetë jemi falënderues dhe nuk do ta harrojmë kurrë”, tha Krasniqi.

Kryetari i KOK-ut dhe ai i KOKSH-it, shfrytëzuan rastin që të shkëmbejnë disa dhurata simbolike mes tyre.

Back to top button