Kolshi: VV ka dy opsione për konstituimin e Kuvendit

Në një emision special në RTV21 lidhur me konstituimin e Kuvendit, hulumtuesi ligjor Melos Kolshi tha se Lëvizja Vetëvendosje ka vetëm dy mundësi nëse dëshiron të çojë përpara procesin e konstituimit.

Sipas tij, opsioni i parë është propozimi i një kandidati që nuk ka qenë pjesë e ekzekutivit, në mënyrë që të sigurojë votat e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila ka deklaruar se nuk do të votojë për një deputet që ka qenë ministër në qeverinë e kaluar.

Opsioni i dytë, tha ai, është arritja e një marrëveshjeje politike me ndonjë subjekt tjetër brenda Kuvendit.

“Çdo veprim jashtë këtyre dy mundësive na çon drejt vonesave të panevojshme e bllokuese. Pa një kompromis me subjektet tjera dhe pa vullnet për ta konstituar Kuvendin, Vetëvendosje nuk do të mund të gjejë rrugë për ta çuar përpara këtë proces. Zgjidhja tashmë është e përcaktuar me aktgjykim, thjesht nevojitet vullnet”, u shpreh Kolshi.

Ai gjithashtu vlerësoi se afati i pauzës prej 48 orësh është një pritje e panevojshme, pasi duhet të tentohet më shpesh, duke synuar gjetjen e një deputet konsensual.

 

Back to top button