Komandanti i FSK-së takon Shefin letonez të Mbrojtjes, zotime për rritje të bashkëpunimit ushtarak
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur sot në takim Shefin e Mbrojtjes të Republikës Letonisë, Gjenerallejtënant Leonids Kalnins.
Gjatë këtij takimi, gjeneral Jashari i shprehu mirënjohje për kontributin e dhënë të kontingjentit të forcave letoneze në kuadër të KFOR-it për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së Kosovës që nga viti 2000, si dhe ritheksoi aspiratat e vendit tonë për anëtarësim në NATO dhe drejtimin strategjik ushtarak të Kosovës.
“Gjithashtu, dy gjeneralët diskutuan për situatën në Ukrainë dhe ndikimin e Rusisë në rajonin e Baltikut dhe atë të Ballkanit, ku gjatë kësaj periudhe të ndjeshme, u vlerësua nevoja për mbështetje të ndërsjellët mes dy vendeve”, thuhet në komunikatë.
Dy gjeneralët u zotuan për ngritjen e bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve duke përfshirë trajnimet, stërvitjet e përbashkëta si dhe shkëmbimin e përvojave.
Në fund, gjeneral Kalnins e ftoi gjeneral Jasharin për vizitë zyrtare në Republikën e Letonisë./21Media