Kaloni te përmbajtja kryesore

Komisioni Evropian: Jemi duke e vlerësuar kërkesën e Kosovës për pagesë nga Plani i Rritjes

Kosova është vendi i fundit që dorëzoi në Komisionin Evropian raportin mbi zbatimin e hapave reformues në kuadër të Planit të Rritjes të mërkurën, ndërsa afati skadoi po në mesnatën e asaj dite.

Në një përgjigje për rtv21 Komisioni Evropian tha se pas dorëzimit të raporteve aktualisht është duke e vlerësuar zbatimin e hapave reformues përfshirë edhe kërkesën e Kosovës për pagesë nga plani i rritjes.

“Komisioni tani do t’i vlerësojë raportet dhe do të përcaktojë disbursimet përkatëse. Mund të konfirmojmë gjithashtu se Kosova e ka dorëzuar me sukses kërkesën e saj për pagesë. Komisioni aktualisht është duke e vlerësuar atë”.

Një afat paraprak për zbatim të reformave, Kosova e humbi më 30 qershor, kurse vonesat e njëpasnjëshme për zbatim të reformave Kosovës i kanë shkaktuar humbje milionëshe. Në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se deri më tani vendi ynë ka humbur rreth 43 milionë euro.

“Në bazë te agjendës së reformave janë 13 hapa që janë dashur të zbatohen gjatë kësaj periudhe me sa kemi njohuri 6 apo 7 hapa janë zbatuar këtë periudhe derisa 6 të tjerë s’janë zbatuar jemi duke folur për hapat që kanë qenë të dakorduara të zbatohen ne 6 mujorin e parë për vitin 2025. Dmth afati përfundimtar ka qenë 30 qershori 13 hapat janë të domosdoshëm të zbatohen që të merren ato mjete. Vlera e këtyre mjeteve është rreth 90 milion qeveria ka zbatuar afërsisht 40 milionë deri tani humbjet janë rreth 43 milionë. Euro plus minus duhet kemi parasysh qe s’kemi informata të sakta”, tha Marmullakaj për rtv21

Kosova nuk ka marrë ende asnjë këst të rregullt nga Plani i Rritjes, pasi, siç vlerësohet, nuk e ka përmbushur asnjë hap reformues shkaku i krizave të njëpasnjëshme institucionale.

Në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, vlerësojnë se deri në fund të këtij viti, Kosova pritet të humbë të paktën edhe 100 milionë euro nga plani i rritjes.

“Afatet janë shumë të sakta dhe në momentin kur kalon grejs periudha apo kjo periudhë e tolerancës nga KiE humbjet janë te pakthyeshme nëse flasim konkretisht për vitin 2026 deri në fund të vitit afati do tu dal edhe dy semestrave, të parit dhe të tretit nëse s’jemi ne gjendje te themelojmë një qeveri e të ecim përpara këto reforma….Vlera totale e reformave që do t’u kaloj afati deri në fund të këtij vitit është rreth 165 milionë euro”, u shpreh Gërgi për rtv21

Për dallim nga Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, që nuk kanë marrë asnjë pagesë të rregullt nga fondet e Planit të Rritjes, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë marrë tri të tilla, ndërkaq, Serbia vetëm një pagesë. Në Odën Ekonomike të Kosovës përsërisin vlerësimin se nga humbjet e mjeteve të BE-së pëson ekonomia e vendit dhe bizneset.

“Sipas parashikimeve tona kjo shume shkon mbi 40 milionë por është vetme parashikimi i pare e keqja me e madhe këto mjete nuk kthehen më. Por do ju shpërndahen vendeve përreth. Dyshojmë se kjo shifër është më e larte. Kishin me përfitu u bizneset ekonomia… Shumica e këtyre mjeteve ka qenë përveç administratës publike të destinuar edhe për investime kapitale”, the Rafuna për rtv21

Kosova deri më tani ka marrë vetëm parafinancimin prej mbi 61 milionë eurosh, që përfaqëson shtatë për qind të shumës së përgjithshme prej 882 milionë eurosh të ndara për vendin./RTV21/21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button