Komisioni për Punë të Brendshme miraton projektligjet e FSK-së
Prej grupit punues kanë dalur 40 amendamente
Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka miratuar projektligjet për FSK-në, gjegjësisht raportin me propozim-amendamente për Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes.
Në këtë komision u dhanë edhe disa propozime. Fatmir Xhelili tha se prej grupit punues kanë dalë 40 amendamente.
“Neni 59 të jetë siç ka qenë. Kandidati për drejtor të Agjencisë për të dhëna personale që të mos ketë pasur aktakuzë gjatë 5 viteve të fundit”, propozoi Xhelili.
Propozimi është miratuar nga anëtarët e Komisionit. Ndërsa deputeti Daut Haradinaj parashtroi nevojën që komisioni të shqyrtojë gjendjen alarmante të plaçkitjeve dhe konsumimin e substancave narkotike nëpër shkolla.
“Kur flasim për plaçkitje, kemi vrasje në Prishtinë gjatë tentimit për me plaçkitë”, tha Haradinaj dhe kërkoi raport me shkrim nga drejtori i Policisë, dhe njësive të tjera.
Mbledhja e paraparë që të mbahet nesër ku është paraparë që të raportojë ministri i Punëve të Brendshme është shtyrë për javën e ardhshme pasi që ministri Ekrem Mustafa gjendet jashtë vendit.
Sot në mëngjes komisioni për Integrime Evropiane ka miratuar tri projektligjet për FSK-në me amendamentet e komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.
Pas komisionit, projektligji për Shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe i amendamenteve të Komisionit funksional për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes dhe i amendamenteve të Komisionit funksional për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së dhe projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe i amendamenteve të Komisionit funksional për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, do të dërgohen në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, e cila do të caktojë datën se kur do të jenë në seancën plenare.
Sot do të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës nga ora 15:00 me kryetarët e grupeve parlamentare, ku ndër të tjera do të caktohet edhe seanca, në të cilën do të shqyrtohet në lexim të dytë projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.