Komuna e cilëson të panevojshme grevën e punëtorëve të “Pastrimit”

Komuna e Prishtinës e ka cilësuar si të panevojshme grevën e punëtorëve të KRM “Pastrimi” para objektit të Komunës
“Ka kohë që Kryeqyteti është angazhuar për zgjidhjen e situatës së krijuar me mbeturinat.
Prandaj, përderisa Kryeqyteti, është duke bërë gjithçka për tejkalimin e kësaj gjendje konsiderojmë se grumbullimi i punëtorëve të KRM “Pastrimi” para objektit të Komunës është i panevojshëm. Keqpërdorimi i tyre për qëllime politike nga menaxhmenti është i papranueshëm dhe nuk duhet të vazhdojë.”, thuhet në reagimin e Komunës së Prishtinës.
“Siç ju kemi njoftuar, Kryeqyteti ka nënshkruar kontratën me Kompaninë Regjionale të Pastrimit, në vlerë prej 1.5 milion euro, për mirëmbajtjen dhe pastrimin e hapësirave publike në qytet.
Presim nënshkrimin e kësaj kontrate edhe nga Kompania Regjionale “Pastrimi”, me qëllim që punëtorët t’i kthehen punës dhe angazhimit të tyre në Kryeqytet.”, përfundon reagimi./21Media