Komuna e Kumanovës në bllokadë- Damjanovski: Do të punoj edhe pa mandat

Damjanovski bën thirrje tek qeverisja qendrore që sa më parë të shpallin zgjedhjet lokale

Po e hedh firmën e fundit të mandatit të tij të tretë. Si të gjithë kryetarëve të komunave, edhe Zoran Damjanovskit  sot i skadoi afati ligjor i mandatit si i pari i Kumanovës.

Ai thotë se do të vazhdoj të punoj bashkë me administratën e tij që të gjitha obligimet komunale mos të ngecin, por nuk do të mund të firmos asnjë dokument dhe as të qarkullojnë para nga buxheti komunës. Damjanovski thotë se që nesër do të ketë vështirësi me bllokimin e pushtetit të katërt, shkruan tv21.tv

“Nuk do të thotë se sot është Dita D, pra dita vendimtare, por në periudhën pasuese nuk do të mund të bëhet asnjë pagesë. Ndërtimi i infrastrukturës komunale është gjëja më pak e rëndësishme, sepse kjo është diçka që mund të vazhdojë, megjithatë, problemi më serioz do të paraqitet me ndërmarrjet publike që funksionojnë përmes subvencioneve që lëshohen nga buxheti komunal”, tha ai. 

Sipas tij, këto subvencione janë jetike për funksionimin e tyre, siç është pastërtia, një pjesë e ujësjellësit, ndriçimi publik, energjia elektrike dhe arsimi si një nga segmentet më të mëdha në bartjen e kompetencave.

Nga kjo komunë theksojnë se kjo krizë mund ti shkaktojë probleme 1960 të punësuarve që marrin rroga nga pushteti vendor prej të cilave rreth 1700 janë kuadër mësimdhënës.

Për të mos u krijuar problemet, administrata e kësaj komune rrogat e fundit i ka lëshuar më herët, një praktikë që nuk ka ndodhur më herët.

Në godinën e Komunës nuk vërehet ndonjë fluks i shtuar i qytetarëve për t’i kryer punët administrative në ditën e fundit të mandatit të kryetarit. Kurse administrata punon në procedimin e dokumenteve komunale. Zoran Pavlovski, udhëheqës i të hyrave në komunë, thotë se nga 75 milion denarë, sivjet në buxhet janë mbledhur 55 milion denarë, por nuk do të jenë të mjaftueshme nëse bllokada vazhdon.

“Ne shpresojmë se kjo situatë për një javë apo dy do të zgjidhet, më së voni deri në fund të muajit, me vazhdimin e mandatit. Kështu që edhe ky lloj tatimi do të funksionojë në mënyrë të papenguar”, tha ai.

Kryetari Damjanovski, bën thirrje tek qeverisja qendrore që sa më parë të shpallin zgjedhjet lokale, në mënyrë që mos t’i bartin qytetarët pasojat e bllokimit të pushtetit lokal. Damjanovski tha se në zgjedhjet e reja lokale sërish do të rikandidoj për kryetar të Komunës së Kumanovës.

 

Back to top button