Mitrovica ndanë 170 mijë euro për luftimin e virusit COVID-19

Bahtiri: Komuna ka marr të gjitha hapat e nevojshme dhe është duke u angazhuar maksimalisht

Komuna e Mitrovicës ka ndarë 170 mijë euro për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19. Kjo u bë e ditur gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Mitrovicës që u mbajt sot në këtë qytet.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka kërkuar nga qytetarët që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre, duke sqaruar se kjo është e vetmja mundësi për tejkalimin e situatës. Ai apeloi poashtu tek qytetarët që të mos bëjnë panik dhe të jenë të qetë, duke ju garantuar atyre se përkundër gjendjes së vështirë, nuk do të ketë mungesa të asnjë artikulli elementar.

Bahtiri potencoi se komuna ka përpiluar një listë prej 18 artikujve elementarë, për të cilat tha se do të arrin në sasi të mjaftueshme shumë shpejt në Mitrovicë.

Shukri Gashi, drejtor i Drejtorisë së Financave në Mitrovicë, duke sqaruar Ligjin për vetëqeverisjen lokale, tha se lejohet që deri në pesë për qind të projekteve të bëhet transfer i mjeteve nga një kategori në një kategori tjetër ekonomike, me aprovim të Kuvendit Komunal, dhe pa u përfshirë ministritë apo ndonjë palë tjetër.“Totali për bartje është 170 mijë euro, ku 138 mijë euro janë nga të hyrat vetanake, dhe 32 mijë euro janë nga granti qeveritar”, theksoi Gashi.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e grupeve të ndryshme parlamentare, lavdëruan angazhimin e komunës në këtë situatë, duke u shprehur unikë në betejën kundër pandemisë.

Donjet Bislimi, shef i grupit parlamentar të PDK-së, tha se s’kanë dallime partiake, sepse në këtë betejë kundër koronavirusit janë të gjithë një. “E shoh një mobilizim të hatashëm prej të gjitha instancave për çka po dua me ju falënderua edhe juve si komunë për punën që jeni duke bërë. Duhet me ditë që s’kemi dallime partiake, sepse në luftën kundër këtij virusi jemi një”, u shpreh Bislimi.

Kjo mbledhje u mbajt në qendrën e kulturës ‘Rexhep Mitrovica’ për të përfillur rekomandimet nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, për mbajtjen e distancës. /21Media

Back to top button