Komuna e Prishtinës u bën thirrje qytetarëve
Komuna ka vërejtur disa dukuri ilegale
Komuna e Prishtinës përmes një njoftimi për media ka lajmëruar se ditëve të fundit janë vërejtur disa dukuri ilegale e joligjore nga qytetarë siç i quajnë të papërgjegjshëm.
“Duke i marrë parasysh rrethanat politike dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme në vend, duan të përfitojnë nga vakumi politik në nivel qendror dhe t’i ikin përgjegjësive ligjore duke tentuar që t’i sjellin organet para aktit të kryer. Në disa raste kemi hasur në tentim ndërtimi pa leje, tentim uzurpime, si dhe aktivitete të tjera ilegale”, thuhet në njoftimin e komunës.
Sipas reagimit Komuna e Prishtinës bën me dije se nuk ka kurrfarë vakumi insitucional në nivel komunal dhe në asnjë mënyrë nuk do të tolerohen shkelje ligjore nga kush do që të jenë ato.
Komuna ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë procedurat ligjore në veprimet e tyre, apo përndryshe do të përballen me sanksione ligjore./21Media