Komunat alarmojnë për kolaps financiar, shkas kontrata kolektive

Një ndër komunat e cila ka pësuar më së shumti nga vendimet gjyqësore në lidhje me kontratën kolektive është komuna e Ferizajt. Vetëm për 6 mujorin e parë të vitit 2025, detyrohet të paguajë mbi 12 milionë euro, sa gati totali buxhetin që kjo komunë e ndanë për investime kapitale.
“Neve na ka ardh fatura 12.7 milionë euro, diku edhe 7 milionë kanë mbetur pa pagu dhe normalisht që kjo shkakton ngecje në çdo projekt të komunës pasi që ato mjete dikun duhet të merren. Për atë arsye po kërkohet ndëryrhja e nivelit qëndror pasi që në fund të fundit marrëveshja nënshkruhet me qeverinë dhe jo komunat”. tha Marevci për RTV21.
Kontrata kolektive është marrëveshje e përbashkët mes sindikatave dhe punëdhënësve e cila rregullon kushtet e punës, pagat dhe të drejtat e punëtorëve. Vitin e kaluar komuna e Vitisë, si pasojë e kontratës kolektive kishte mbetur pa paga për punonjësit komunalë. Kryetari Sokol Haliti, hedhë dyshime se kjo situatë po krijohet qëllimshëm në prag të zgjedhjeve lokale.
“ Jo vetëm Vitia që është dëmtuar me 7.7 milionë euro me kontratën kolektive marr parasysh se kemi 3 milionë euro për investime kapitale, prandaj është dëmtu në shërbime publike, në paga, në subvencione besa edhe në projektet e BE-së dhe grantet e performancave, prandaj prekja tek fondet e BE-së dhe grantet e performances në cilin do segment është i pajustifikushëm”, tha Haliti për RTV21.
Haliti akuzoi edhe ministrin e pushtetit lokal, Elbert Krasniqi, pasi sipas tij, komuna e Vitisë përkundër performancës së mirë u penalizua nga fondet e BE-së si pasojë e telasheve me kontratën kolektive.
“Ministri i MAPL nuk po e ushtron funksionin që ka është marrë me punë të tjera popilliste qeveritare qe 4-5 vite dhe fare nuk është marr me interesin e komunave, na i ka blloku edhe grantet e perfomances sepse një pjesë e komunave kemi pasur perfomancë të mirë dhe kemi fituar grante nga BE-ja, ndërsa kontrata kolektive na ka dëmtu në kualifikim sepse auditori na ka kualifiku në bazë të këtyre kontratëve dhe kemi humë dysfish edhe nga kontrata kolektive edhe nga grantet”, tha tutje ai.
Në lidhje me situatën e krijuar RTV21 ka provuar të marr një përgjigje edhe nga ministria e financave, por e njëjta nuk është përgjigjur. Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se në 6 mujorin e parë të 2025, përmbaruesit morën nga komunat mbi 46 milionë euro.
“ Këto para ndoshta nuk janë shumë për qeverinë por për komunat janë jashtëzakonisht shumë sepse mbesin pa projekte, pa përmbushje të premtimeve”, deklaroi Ibrahimi për RTV21.
Komunat në Kosovë në vazhdimësi janë ballafaquar me telashet financiare që implikon kontrata kolektive. Megjithatë, as në vitin 2025 kjo çështje nuk po gjen zgjidhje. /RTV21/21Media