Komunat fshehin shpenzimet e buxhetit

Pesë komuna në Maqedoni nuk kanë dhënë asnjë informatë në lidhje me miratimin e buxhetit

Haraçina, Saraji dhe Çairi janë tri komunat që nuk janë transparente për shpenzimet dhe buxhetin e tyre. Këtë e thotë hulumtimi i bërë nga Qendra për Analiza Ekonomike. Sipas këtij hulumtimi, edhe një pjesë e komunave të tjera nuk japin hollësi për propozim- buxhetin, llogarinë përfundimtare dhe detaje të tjera që kanë të bëjnë me planifikimet dhe shpenzimet e tyre financiare. Për komunikologun Klime Babunski, komunat nuk duhet të jenë të mbyllura ndaj qytetarëve, por ato duhet të japin llogaridhënie.

“Transparenca është parimi bazë i demokracisë ,shtetit ligjorë dhe i shoqërisë që dëshiron të zhvillohet në mënyrë kritike. Qasja e lirë ndaj informacioneve  paraqet parakusht edhe për lirinë e shprehjes dhe lirinë mediatike për arsye se, nëse informacionet janë të mbyllura, sigurisht se edhe këto dy lirit e tjera nuk mund të realizohen”, tha ai.

Jadranka Kungullovska, eksperte për përkrahje institucionale thotë se komunat kanë faqet e tyre të internetit, por ato publikojnë të dhëna të panevojshme. Edhe ajo thotë se komunat duhet të ndajnë informacionet që janë me rëndësi për qytetarët, për ti informuar,shkruan tv21.tv

“Të gjitha komunat kanë faqet e internetit, dhe aty mund të shihet puna e një komune. Kjo nuk është kështu vetëm tek ne, kjo është një trend botëror. Nëse i hapni faqet e komunave tona ju do të habiteni, se si ato kopjojnë njëra tjetrën, dmth aty janë vendosur ligje dhe informata të panevojshme”, theksoi ajo.

Në analizën e Qendrës për Analiza Ekonomike, pesë komuna nuk kanë dhënë asnjë informatë në lidhje me miratimin e buxhetit për vitin 2017.  Ndërsa, ndër komunat që vlerësohen si më transparente janë Manastiri, Demir Hisari, Qyteti i Shkupit dhe komuna të tjera që rangohen më poshtë.  Ky hulumtim është realizuar me mbështetjen e ambasadës britanike./21Media

Back to top button