Komunat kërkojnë nga Ministria e Financave të lëshojë Qarkoren e dytë buxhetore: Po dëmtohemi

Ministria e Financave, Transfereve dhe Punës deri më sot nuk ka lëshuar Qarkoren e dytë buxhetore për komunat. Kështu ka njoftuar për RTV21 kryetari i Asociaciacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahim, duke shtuar kjo është një detyrim ligjor dhe një instrument kyç për planifikimin financiar të komunave.
“Moslëshimi i qarkores së dytë me kohë përben shkelje të afateve ligjore te përcaktuara me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe qarkoren e parë buxhetore. Kjo sjell pasoja të mëdha juridike dhe praktike për të gjitha komunat. Kjo neglizhencë mund të sjellë deri të bllokimi i procesit buxhetor komunal. Komunat, pa tavane dhe udhëzime buxhetore, nuk mund të përgatisin projektbuxhetet për vitin e ardhshëm. Si rrjedhojë, rrezikohet vonesa në miratimin e buxheteve komunale dhe funksionimi normal i shërbimeve publike. Me 01 shtator 2025 komunat e kanë obligim me e dorëzu në kuvende komunale projekt buxhetet e tyre për vitin 2026.”, thuhet në reagim.
Në reagim thuhet se qytetarët dëmtohen.
“Pra, ky vonim nuk është vetëm çështje teknike apo administrative, ai prek drejtpërdrejt qytetarët. Çdo ditë vonesë në këtë proces do të thotë vonesë në projektet për shkolla, çerdhe, rrugë, ujësjellës, kanalizime dhe shërbime bazike komunale.Duke marë parasysh që jemi në vit zgjedhor lokal, kjo vonesë mund të merr edhe dimension politik, duke krijuar dyshime të arsyeshme se qeveria po përdor instrumente financiare për të bllokuar punën e komunave dhe për të kufizuar zhvillimin e projekteve në nivel lokal.”, thuhet në reagim
Prandaj AKK kërkon që:
• Ministria e Financave, Transfereve dhe Punës të lëshojë menjëherë Qarkoren e dytë buxhetore, pa vonesë të mëtejme;
• Të respektohen me përpikmëri afatet ligjore të kalendarit buxhetor;
• Të sigurohet trajtim i barabartë dhe i drejtë për të gjitha komunat.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës thekson se vonesa të tilla dëmtojnë rëndë jo vetëm komunat, por mbi të gjitha qytetarët e Republikës së Kosovës. Qeveria duhet të marrë përgjegjësi dhe të ndalojë praktikat që bllokojnë funksionimin e pushtetit lokal.”, përfundon reagimi.