“Komunat rrezikojnë të mbesin pa mjete për ekzekutim të pagave”

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka ngritur alarmin se shumë shpejtë të gjitha komunat në Kosovë përfshirë komunën të cilën ai e udhëheqë do të kenë telashe me ekzekutimin e pagave për shkak të mos përmbushjes së kontratës kolektive nga ana e qeverisë. Totaj këtë deklaratë e bëri pasi që në fillim të muajit tetor me një telash të ngjashëm u ballafaqua komuna e Vitisë. Asociacioni i komunave të Kosovë thotë se kjo situatë ka ardhur për fajin e qeverisë e cila tashmë sipas tyre po i injoron komunat.
Ndonëse pagat për punonjësit e arsimit në komunën e Vitisë u ekzekutuan pak ditë pas përplasjes mes kësaj komune dhe ministrisë së financave se kush ka faj për mos ekzekutimin e pagave, duket se problemi nuk është zgjidhur. Madje sipas asociacionit të komunave të Kosovës me një situatë të ngjashme do të ballafaqohen edhe komunat e tjera të Kosovës, duke mos përjashtuar as komunat e mëdha. Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj i tha rtv21 se mospërmbushja e kontratës kolektive do t’i rrezikojë komunat të mbesin pa ekzekutuar pagat pasi tash dy muaj e gjysmë pa përfunduar viti buxheti për paga dhe mëditje.
“Komuna e Prizrenit me buxhet më të madh ka rrezik më të vogël por ajo që po ndodhë është se do të na çrregullohet planifikimi buxhetor për projekte të tjera, ndërsa komunat e vogla janë vërtetë para një rreziku serioz për të cilin nuk janë përgjegjës”, tha Totaj për rtv21.
Se kjo çështje është kthyer në një problem serioz flet edhe drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi. Sipas tij, nga ky muaj deri në fund të vitit, shumë komuna do të mbesin pa paga pasi aktualisht në këtë periudhë të vitit të vetmet mjete që komunat kanë në dispozicion janë ato për paga dhe mëditje.
“Kontratën kolektive e ka nënshkrua qeveria me sindikatën në këtë rast me sindikatën e arsimit dhe për momentin përmbaruese është duke ua marr mjetet në kategorinë e pagave dhe mëditjeve dhe nëse komunat e kanë shpenzu buxhetin për projekte kapitale përmbaruesi do tua marr mjetet. Dhe kjo po ndodhë për shkak të mos angazhimit të qeverisë për ta zgjidhur këtë problem pra në një të ardhme të afërt do të ndodhë me të gjitha komunat. Unë besoj se nga kjo javë do të ballafaqohemi me këtë problem dhe komunat e tjera në vazhdimësi”, tha Ibrahimi për rtv21.
Kontrata kolektive është marrëveshje e përbashkët mes sindikatave dhe punëdhënësve e cila rregullon kushtet e punës, pagat, orët e punës, të drejtat e punëtorëve dhe punëdhënësve dhe çështje të tjera të rëndësishme që lidhen me marrëdhëniet e punës. Në rastin konkret kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, bëri të ditur se kontrata është nënshkruar mes qeverisë dhe sindikatës dhe sipas tij, mijëra lëndë të dërguara nëpër gjykata po pranohen nga sindikata.
“Këta kanë mendu që nënshkrujnë kontratën kolektive sa për sy e faqe e ne sindikata nuk bëjmë asgjë. Tash kur mijëra landë janë duke u fituar nëpër gjykata normale që organi i cili quhet përmbarues do t’i godas komunat aty ku gjen buxhet andaj qeveria me kryeneqësinë e saj dhe komunat me mos planifikim të duhur do të na sjellë në këtë gjendje”, tha Jasharaj.
RTV21 për këtë çështje ka kërkuar një shpjegim edhe nga qeveria dhe ministria e financave, por të njëjtit nuk janë përgjigjur./RTV21/21Media