Konfirmohen 9 raste të variantit Omicron në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publik ka bërë të ditur se sot në laboratorin e Mikrobiologjisë molekulare, janë testuar 22 mostra pozitive në SARS-CoV-2, të periudhës kohore 15-25 dhjetor 2021, prej të cilave, 9 prej tyre kanë rezultuar pozitive në prani të variantit Omicron (B.1.1.529).
Siç ka informuar Ministria e Shëndetësisë, nga hulumtimi epidemiologjik, ka rezultuar se nga këto raste: dy raste janë të importuara nga SHBA-të, dy raste janë të importuara nga Londra, Mbretëria e Bashkuar, një rast është i importuar nga Franca dhe katër raste me variantin Omicron të detektuar janë në komunën e Mitrovicës, të cilët mohojnë historinë e udhëtimit dhe se kanë pasur kontakte me dikë nga jashtë.
Testimi është kryer me RT PCR dhe kit-e shtesë të pranuar përmes OBSh-së.
“Pas paraqitjes së variantit Omicron (B.1.1.529) në botë, Evropë, rajon e tashmë edhe në Kosovë, parashikohet që të rëndoj situatën epidemiologjike. Ky variant, në bazë të të dhënave të deritanishme nga bota, ka një përhapje edhe më të shpejtë se varianti Delta Plus.”, ka bërë të ditur ministria.
MSh dhe IKSHPK u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i zbatojnë me përpikëmëri masat në fuqi dhe që të vaksinohen dhe t’i inkurajonë tjerët për vaksinim./21Media