Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama është shprehur i lumtur me rezultatet e treguara nga garuesit në garën e FSK-së

Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama është shprehur i lumtur me rezultatet e treguara nga garuesit në garën e FSK-së

Forcat e Sigurisë së Kosovës(FSK) të premten ka mbajtur ceremoninë kryesore të shpalljes së rezultateve të garës vjetore “Ushtari më i mirë i FSK-së’’ dhe të garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë ndërkombëtar’’.Tetari Rafet Gashi mori vendin e parë ndërkombëtar, ndërsa vendin e dytë ndërkombëtar e fitoi Ivo Bosiq nga Kroacia.

Kurse, vendin e parë vendor e fitoi Binak Podrimqaku, tetar. Në garën “Ushtari më i mirë i FSK-së për vitin 2017’’, kanë garuar gjithsej 21 pjesëtarë, ndërsa në kuadër të garës ndërkombëtare FSK-ja dhe të gjitha shtetet pjesëmarrëse garuan me nga dy pjesëtarë.

Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, duke vlerësuar lart këtë garë tha se me përkushtimin dhe rezultatet e treguara nga garuesit janë bërë shembull për të vendosur standardet më të larta për të gjithë ushtarët, duke realizuar trajnime të vështira sfiduese dhe se duke ngritur standardet FSK-ja ec drejt përmirësimit zhvillimit dhe profesionalizmit.

Ai shprehu bindjen se ky shpirt garues do të vazhdojë të rritet dhe të përcillet në gjeneratat e reja që do të vijnë më pas.

“Gara e ushtarit më të mirë ka për qëllim të promovojë shpirtin garues, të rritë motivin, të testojë shkathtësitë ushtarake të ushtarëve, dhe ju me profesionalizëm, me përkushtim dhe njohuritë që treguat gjatë këtyre ditëve keni përmbushur këtë qëllim me plot sukses. Ne të gjithë mburremi me rezultatet që ju treguat në veçanti mburremi edhe me bashkëpunimin, afërsinë, miqësinë që treguat ndaj njëri-tjetrit. Prandaj, mund të them se të gjithë jeni fitues. Në këtë vit garën e ushtarit më të mirë e bënë edhe më të veçantë pjesëmarrja e ushtarëve nga shtatë shtete partnere, duke u shndërruar kështu në një garë ndërkombëtare ushtarake. Andaj, ky është edhe një sukses i radhës në mes të sukseseve të arritura të FSK-së në çdo ditë dhe ne çdo ditë po dëshmojmë që jemi forcë profesionale, e disiplinuar e motivuar dhe e gatshme të jemi pjesë e shteteve kontribuuese të sigurisë në regjion dhe më gjerë”, theksoi Rama.

Tetari Rafet Gashi, fitues i vendit të parë në garën ndërkombëtare për sivjet, ishte shpallur edhe vitin e kaluar ushtari më i mirë i FSK-së. Ai tregoi se konkurrenca në garën ndërkombëtare ishte e vështirë dhe sfiduese, por ia kishte dalë, sepse, kishte pasur shkathtësi në testin fizik, marshim dhe navigim.

“Ka qenë vështirë të jesh përkrah gjithë këtyre ndërkombëtareve normal që është e vështirë, por me punë arrihet gjithçka. Konkurrenca ka qenë shumë e madhe, shumë e fortë, ishte sfidues duke filluar prej testi fizik deri te disiplina e fundit. Ka qenë testi fizik, navigimi dhe marshimi që më kanë dhënë një përparësi të mirë”, theksoi Gashi.

Tetari Binak Podrimqaku, i cili zuri vendin e parë në garën vendore në FSK, tha se për me qenë pjesëtarë i më i miri në FSK është sfidë bukur e madhe, sepse duhet përgatitje me vite. Podrimqaku edhe në vitin 2014 kishte zënë vendin e parë në FSK , ndërsa një vit më parë ishte në vendin e dytë.

“Është ndjenjë e mirë kur shpërbëhet puna, mundi, dija dhe për krejt ato çka punon njeriu për vitet të tëra për t’i shfaqur për një kohë të shkurtër me koncentrim maksimal, me gjendjen fizike ashtu edhe mentale”, theksoi ai.

Ndërsa, ushtari nga Kroacia Ivo Bosiq, i cili zuri vendin e dytë ndërkombëtar në këto gara, tha se nëse dëshiron të fitosh nuk mjafton të jesh i mirë vetëm me një shkathtësi në një detyrë, por sipas tij, duhet një garues të jetë i kompletuar.

Shtetet pjesëmarrëse në garën e parë ndërkombëtare “Ushtari më i mirë për vitin 2017’’, që u zhvillua në Republikën e Kosovës, janë Shqipëria, Belgjika, Kanadaja, Kroacia, Maqedonia, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar.