Konflikti verbal përfundon me thikë, arrestohen katër afganë në Prishtinë
Katër persona janë përfshirë në një përleshje fizike mbrëmjen e së mërkurës në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Prishtinë, ku si pasojë dy prej tyre kanë pësuar lëndime trupore.
Sipas informacioneve zyrtare, rasti ka ndodhur më 26 shkurt 2026 rreth orës 20:40, pas një mosmarrëveshjeje që fillimisht kishte nisur si konflikt verbal. Të dyshuarit, meshkuj shtetas të Afganistanit, janë rrahur mes vete, ndërsa gjatë përleshjes dyshohet se është përdorur një mjet i ftohtë – thikë.
Si pasojë e incidentit, dy prej të përfshirëve kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor. Në vendin e ngjarjes, njësitet policore kanë gjetur dhe sekuestruar një thikë, e cila dyshohet të jetë përdorur gjatë përleshjes.
Me vendim të prokurorit kompetent, katër të dyshuarit janë intervistuar dhe më pas janë dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po hetohet si “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Armëmbajtje pa leje”.