Konfrontim verbal mes protestuesve

(Lajm i përditësuar)

Një qytetar është konfrontuar verbalisht me disa persona pas përfundimit të protestës së sotme të organizuar nga fëmijët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër kryeministrit Albin Kurti.
Ai i ka quajtur “hajna” veteranët e UÇK-së.
Në këtë rast, ka ndërhyrë edhe Policia e Kosovës.
Me moton “Kryeministër, mos na shkel në gjak! Stop, devijimit të historisë” fëmijët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë protestuar sot kundër deklaratës së kryeministrit të vendit, Albin Kurti me rastin e 5-vjetorit të vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq.
Ditë më parë Kurti ka thënë se Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij, për çka edhe u kritikua.
12:29 – Fëmijët e dëshmorëve të UÇK-së protestojnë kundër deklaratave të Kurtit për Ivanoviqin
Fëmijët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë duke mbajtur protestë kundër deklaratave të kryeministrit Albin Kurti për politikanin e ndjerë serb, Olivier Ivanoviq.
Me moton: “Kryeministër, mos na shkel në gjak! Stop, devijimit të historisë”, ata kanë marshuar përgjatë sheshit “Skënderbeu” në Prishtinë.
Gjatë marshimit, ata janë duke dëgjuar duke thirrur “Ne nuk harrojmë, ne nuk falim”. “Kryeministër mos na provoko, fëmijët e dëshmorëve nuk falin dhe nuk harrojnë. Kryeministër kërko falje”.
10:08 – “Kryeministër, mos na shkel në gjak! Stop, devijimit të historisë”,sot protestohet në Prishtinë
Sot pritet të mbahet protestë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, shkak i së cilës është deklarata e kryeministrit Albin Kurti për politikanin serb, Oliver Ivanoviq.
Me moton, “Kryeministër, mos na shkel në gjak! Stop, devijimit të historisë”, protesta është paraparë të zhvillohet në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë, duke filluar nga ora 12:00.
Protesta është thirrur nga një grup në “Facebook”, që thuhet të jetë nga fëmijët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në njoftim thuhet se protesta është organizuar për shkak të indinjimit me veprimet e Kurtit, që sipas thirrësve ai ka tentuar të amnistojë një kriminel lufte.
“Të indinjuar thellë me veprimet e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit, dhe tenitmin e tij për të amnistuar kriminelin e luftës, ideatorin dhe kryesin e vrasjeve të shqiptarëve civilë, Oliver Ivanoviqit. Fëmijët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thërrasin për protestë, me moton: “Kryeministër, mos na shkel në gjak! Stop, devijimit të historisë!”, thuhet në njoftim.
Sipas organizatorëve, kjo protestë ka për qëllim ndërgjegjësimin për vlerën e historisë dhe të ardhmes së vendit.

Back to top button