Kongresi i parë klinik i kirurgëve shqiptarë në Prishtinë, konsiderohet mundësi për edukim dhe fuqizim profesional

Kongresi i parë Klinik i kirurgëve shqiptarë në Prishtinë është vlerësuar një mundësi e mirë për avancim shkencor dhe profesional në këtë fushë. Në hapjen ceremoniale të këtij kongresi u bë edhe marrëveshja mes Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës dhe Universitetit të Prishtinës për themelimin e Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara në Universitetin e Prishtinës, si platformë për edukimin dhe fuqizimin profesional dhe shkencor në sferën e kirurgjisë dhe fushave të tjera në të ardhmen.
Kryetari i Kongresit të parë Klinik të Kirurgëve Shqiptarë, njëherësh edhe kryetari themelues i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, Rifat Latifi,
“Është nder me privilegj të mirëpresim Kongresin e parë klinik të kirurgëve shqiptarë dhe në festimin e kongresit të pestë klinik të kirurgëve të Kosovës. Kjo çka po përjetojmë sot ishte një nga ëndrrat e mia të mëdha që kam pasur dhe besoj secilit kirurg në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut e gjithandej në botë… Këtë vit po fillojmë në Prishtinë, vitin e ardhshëm do të jemi në Tiranën e bukur, ndërsa në vitin pasues do të jemi në Shkupin shqiptar. Këtë kongres do ta mbajmë me rotacion të vazhdueshëm me vite me radhë. Gjatë shtatë viteve të kaluara kemi punuar me zell për të rritur standardin e kirurgjisë në Kosovë dhe rajon… Qendra për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara në Universitetin e Prishtinës do të ketë tri çështje që duhet t’i realizojë: zhvillimin e programit gjithëpërfshirës të trajnimeve, përmirësimin e aftësive studimore, kërkimore dhe shkencore, integrimin e teknologjisë së përparuar siç është Inteligjenca Artificiale dhe sigurimin e qëndrueshmërisë së kësaj qendre. Qendra për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara do të ketë shtatë departamente,” tha ai.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, tha se hapja e kësaj qendre është e arritur dhe hapi i parë drejt një të ardhmeje të ndritur për vendin.
“Kjo është një e arritur dhe hapi i parë drejt një të ardhmeje të ndritur… Në kohën më të shkurtër të mundshme kemi arritur të themelojmë Qendrën brenda Universitetit të Prishtinës, me arritjen e një memorandumi bashkëpunimi mes UP-së dhe Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, si dhe me arritjen e një memorandumi trepalësh – bashkëpunimin e Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit Mjekësor të Gracit dhe Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës… Sot e kemi bërë më shumë se një hap dhe mbetet që në vijim të dëshmojmë vit pas viti progresin që është arritur në këtë fushë. Ne nuk harrojmë kontributin e madh që e bëjnë punëtorët e shëndetësisë. Ne ballafaqohemi shpeshherë me sfida, siç ishte rasti i pandemisë,” deklaroi Hajrullahu.
Ndërkaq, nënkryetari i Kongresit, njëherësh nënkryetar i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës për Shqipëri, Arben Beqiri, tha se kjo nismë do të shndërrohet në një traditë të shkëlqyer që do të vazhdojë edhe në Tiranë dhe Shkup.
“Një nismë që ne shpresojmë shumë që të shndërrohet në një traditë të shkëlqyer në mbledhjet tona të përbashkëta në Tiranë, Prishtinë dhe Maqedoni të Veriut. Kudo që shqiptarët punojnë për të përmirësuar shëndetin në të gjitha aspektet e tij… Qendra e re e stimulimit dhe kërkimit shkencor në Prishtinë me përpjekjen e përbashkët do të shndërrojë Prishtinën në një qendër të fuqishme të edukimit në rajon dhe më gjerë,” theksoi ai.
Kurse, nënkryetari i Kongresit, njëherësh nënkryetar i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës për Maqedoni të Veriut, Ilir Hasani, tha se ky kongres është një fryt i punës së përbashkët për ngritjen e standardeve kirurgjikale.
“Ky kongres është një fryt i punës së përbashkët që bashkon komunitetin tonë kirurgjikal brenda dhe jashtë vendit, duke unifikuar specialistë nga të gjitha disiplinat dhe ngritjes së standardeve të kongresit kirurgjikal dhe edukimit dhe kërkimit shkencor në vendin tonë,” tha ai.
Në kuadër të këtij kongresi u bë e ditur se tash e tutje kryetar i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës do të jetë Osman Zhuri.
Në Kongresin e parë të Kirurgëve Shqiptarë po marrin pjesë specialistë të shquar të fushës së kirurgjisë nga vendi dhe bota, duke e kthyer këtë ngjarje në një pikëtakim të rëndësishëm shkencor e profesional. /