Konjufca: 28 shkurti i vitit 1998 shënon fillimin e gjenocidit të Serbisë në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, bashkë me kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, bëri sot homazhe te varrezat e martirëve në Qirez dhe Likoshan, për të nderuar 24 martirët e vrarë në këto dy fshatra 25 vjet më parë.
Me këtë rast kryetari Konjufca tha se 28 shkurti i vitit 1998 shënon edhe datën kur filloi gjenocidi i Serbisë në Kosovë.
“Prej këtu e gjithë bota e kuptoi se regjimi i Milosheviqit vret edhe fëmijë, vret edhe gra, edhe pleq. Vret edhe gra shtatzëna, siç ka ndodhur këtu. Dhe pikërisht për shkak të sakrificave të popullit tonë, të cilat janë të mëdha e me përplot vuajtje, bota demokratike e kuptoi edhe më mirë që ne jemi në kauzën tonë të drejtë dhe pikërisht për këtë arsye edhe lufta e UÇK-së, lufta e popullit tonë, ishte e drejtë dhe e domosdoshme. Pra ishte luftë për t’u mbrojtur nga pushtuesi dhe luftë për ta mbrojtur popullin tonë nga gjenocidi i Serbisë”, tha kryetari Konjufca.
Kreu i Kuvendit të Kosovës tha se institucionet do t’i kujtojnë dhe nderojnë gjithmonë martirët dhe dëshmorët e Kosovës që ranë për lirinë e vendit. /21Media

Back to top button