Konjufca: Askush nuk mund t’i zhvendosë shqiptarët nga rruga euroatlantike

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, falënderoi presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj që në vizitën e tij të parë zyrtare jashtë vendit ka zgjedhur pikërisht Kosovën dhe e uroi për detyrën e re, duke i dëshiruar suksese në angazhimet dhe punët shtetërore që e presin.
“Kosova dhe Shqipëria ndajnë organikisht dhe në mënyrë natyrale të njëjtat vlera. Prandaj është e domosdoshme të vazhdojmë t’i koordinojmë dhe bashkërendojmë sa më mirë hapat për të ecur përpara si një komb në rrugën e përparimit dhe zhvillimit të përbashkët”, tha Konjufca, duke shtuar se dy shtetet me vendosmëri e kanë dëshmuar dhe po e dëshmojnë çdo ditë e më bindshëm veten në anën e mbarë të historisë, të së drejtës dhe demokracisë.
“Interes yni parësor, vullnet, vizion dhe orientim i qartë deri në pikëmbërritje mbetet integrimi euroatlantik dhe askush nuk mund t’i zhvendosë shqiptarët nga kjo rrugë”, tha tutje kryetari i Kuvendit.
Vizita e presidentit Begaj në Kosovë, sipas Konjufcës, është pa dyshim konfirmim i lidhjes së veçantë dhe bashkëpunimit unik vëllazëror, mbështetur gjithnjë në parimin një komb, një qëndrim./21Media

Back to top button