Konjufca dhe Sobotka morën pjesë në “Punëtorinë për Demokraci-Demos-ti”

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ​dhe kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, pas takimit të sotëm, morën pjesë në “Punëtorinë për Demokraci – Demos-ti”, brenda ambienteve të Kuvendit.

Gjatë bashkëbisedimit me nxënës filloristë të shkollës “Qamil Batalli” në Prishtinë, kryetarët Konjufca e Sobotka ndanë pikëpamjet e tyre lidhur me demokracinë, parlamentarizmin, zgjedhjet e lira, mediat dhe qytetarinë aktive.

Kryetarët e të dy parlamenteve u përgjigjen gjithashtu në interesimin e nxënësve jo vetëm për temat e lartcekura, por edhe mbi përvojën e tyre në raport me politikën dhe vendimmarrjen, marrëdhëniet midis dy vendeve etj.

Programi “Punëtoritë për Demokraci – Demos-ti” është i projektuar si program edukativ-qytetar për fëmijët e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta, nëpërmjet të cilit ata zgjerojnë njohuritë për demokracinë, funksionimin e Kuvendit, hartimin dhe miratimin e ligjeve, qytetarinë aktive, rolin e mediave, të drejtat e njeriut etj.

Programi është realizuar me iniciativën e ish-Kryetares të Parlamentit të Austrisë, Barbara Prammer dhe Fondacionit ERSTE, në Parlamentin austriak në vitin 2007.

Kosova ishte vendi i dytë në Evropën Juglindore që filloi realizimin e një programi të tillë, në vitin 2016.

Deri tani, mijëra nxënës nga e gjithë Kosova kanë pasur rastin të jenë pjesëmarrës të këtij programi./21Media

Back to top button