Konjufca e Osmani shtrojnë iftar për udhëheqësit e BIK-ut
Kryeparlamentari Glauk Konjufca, bashkë me presidenten Vjosa Osmani, kanë pritur sonte në iftar udhëheqësinë e BIK-ut.
Pritja e tyre iu bë siç shkruan Konjufca në Shtëpinë e Popullit në Kuvendin e Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kanë shtruar sonte iftar për Myftiun Naim Tërnava dhe bashkëpunëtorët e tij.
“Me kënaqësi i kemi ftuar sonte udhëheqësinë e BIK-ut për të marrë pjesë në iftarin tonë të posaçëm në Shtëpinë e Popullit, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, bashkë me Presidenten Vjosa Osmani. Është një mundësi e veçantë për të forcuar marrëdhëniet ndërmjet nesh dhe për të promovuar respektin dhe bashkëpunimin. Urojmë një mbrëmje të këndshme dhe të bekuar për të gjithë pjesëmarrësit e këtij iftari”, shkroi në profilin e tij në Facebook Konjufca.
Myftiu Tërnava falënderoi presidenten Osmani dhe kryetarin Konjufca për shtrimin e këtij iftari të përbashkët, duke potencuar kështu përkushtimin e Bashkësisë Islame të Kosovës për të krijuar në vend një frymë paqeje dhe solidariteti për të gjithë qytetarët pa dallim, ka njoftuar BIK-u.