Konjufca: Gëzuar Pashkën të gjithë bashkëqytetarëve të besimit ortodoks

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i ka uruar Pashkët të gjithë bashkëqytetarëve të besimit ortodoks.

“Kjo festë që vjen në frymën e ripërtëritjes dhe rikthimit të shpresës, që kërkon reflektimin për rëndësinë dhe domethënien e sakrificës, që kërkon të forcojë vlerësimin, respektin dhe përkujdesin ndaj njëri-tjetrit, le ta gjejë gjithkënd përreth vlerave të solidaritetit dhe mirësisë.Ajo na tregon për efektin e madh ndriçues mbi errësirën, tregon se e mira triumfon edhe kur mund të duket e pafuqishme, se drejtësia nuk është vetëm çështje force, por më së pari, çështje besimi dhe insistimi tek ajo. Këto mësime të vyera i shërbejnë përnaltësimit të jetës shpirtërore, teksa pasqyrohen në jetën shoqërore. Mbarësi, gëzim, shëndet e harmoni në familjet tuaja, sot e gjithmonë!”, shtoi Konjufca në “Facebook”.

Besimtarët ortodoksë në të gjithë botën kremtojnë sot ngjalljen e Jezu Krishtit në meshën e pashkëve, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq. Pashka është një nga kremtimet më të mëdha të ortodoksëve.

Festimet e Pashkës nisin me meshën e madhe të së shtunës mbrëma dhe përfundojnë me drekën tradicionale të së dielës. “Krishti u ngjall”, është “refreni” i kësaj dite festive i cili shprehet njëzëri nga të gjithë besimtarët duke trokitur vezën e kuqe të pashkëve që simbolizon gjakun e Krishtit.

Back to top button