Konjufca: Gjykata nuk gjeti shkelje në lidhje me votimin e fshehtë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i ka hedhur poshtë interpretimet se Gjykata Kushtetuese gjeti se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari i Vetëvendosjes, e shkeli Kushtetutën duke propozuar votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Duke folur në një konferencë për media në prag të seancës konstituive, Konjufca tha se interpretimi i Vetëvendosjes është se Gjykata Kushtetuese “nuk ka gjetur asnjë shkelje” në votimin e fshehtë.
Ai tha se ata që thonë se Dehari e shkeli Kushtetutën përmes votimit të fshehtë, “janë lexues të dobët” të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Ata ose nuk e kanë lexuar vetë ose e interpretojnë gabimisht, ose interpretojnë me interpretime të të tjerëve”, tha Konjufca. /rel