Konjufca takohet me kryetarin e Senatit të Francës, flasin për zhvillimet në Kosovë

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Senatit Francez, Gerard Larcher, në vazhdën e takimeve me drejtues të lartë të shtetit francez, gjatë vizitës zyrtare në Paris.

Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, si dhe për marrëdhëniet midis Kosovës dhe Francës.

Dyshja ndanë mendimin e përbashkët se këto marrëdhënie janë vlerë e padiskutueshme për tejkalim të çdo sfide dhe përparim të gjithanshëm brenda bashkësisë së vendeve të partneritetit të demokracisë.

“Konjufca falënderoi Larcher për angazhimin e shtetit francez në Republikën e Kosovës, duke theksuar se sa e domosdoshme është që vendet tona aleate të ecin bashkërisht drejt zhvillimit të mëtejmë të raporteve dhe forcimit të partneritetit tonë strategjik”, thuhet në komunikatën nga zyra e Kuvendit.

Kryekuvendari theksoi se Franca është nga vendet e traditës së hershme të demokracisë dhe institucioneve të saj, andaj shprehu interesimin dhe përkushtimin në lidhje me përfitimin nga kjo përvojë e gjatë dhe e pasur e shtetit francez sa i përket parlamentarizmit, si dhe në lidhje me intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme të interesave të përbashkët. /21Media

 

Back to top button