Konjufca takon sot kryetarët e partive

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, do të mbajë sot takim me kryetarë të subjekteve politike.

Takimi do të zhvillohet sot nga ora 12:00 në njërën nga sallat e Kuvendit të Kosovës.

Mbledhja do të mbahet për organizimin e seancës konstituive më 15 prill.

Seanca e parë udhëhiqet nga deputeti më i vjetër dhe ai më i riu në sallën e Kuvend.

Të enjten e javës së kaluar, Kuvendi njoftoi për këtë takim, i cili do të mbahet në drekë, një javë para seancës konstituive të Kuvendit.

Një pikë e vetme është në rendin e ditës: “Përgatitjet për Seancën konstituive të Legjislaturës IX të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet më 15 prill, siç ka vendosur presidentja Vjosa Osmani. Po atë ditë, LVV synon ta zgjedhë edhe qeverinë, siç ka deklaruar kryetari i kësaj partie, Albin Kurti.

Duke kërkuar formimin e qeverisë “sa më parë që të jetë e mundur”, presidentja konsideron se deri më 15 prill “ka kohë të mjaftueshme për partitë politike që t’i kryejnë diskutimet e nevojshme”.

Ajo ka uruar që “ai proces të shkojë sa më mirë që është e mundshme dhe që konstituimi të kryhet po me atë datë”.

LVV-ja ka marrë 42.30% të votave dhe do t’i ketë 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit – që nënkupton se asaj do t’i nevojitet një partner nga ana e opozitarëve për të qëndruar më tej në pushtet. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave (24 deputetë), ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27% (20 deputetë). Koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me Nismën dhe të tjerët ka marrë 7.06% të votave (8 deputetë – 5 AAK, 3 Nisma). Së bashku, opozitarët kanë më shumë mandate (52) sesa partia e parë.

Back to top button